Ekonomisti dhe gazetari Mehmet Gjata në një prononcim për Front Online ka thënë se me rënien e Bllokut B1 në javën e kaluar, Kosova ka importuar rrymë nga hungarezët.
“Ndërkohë, që dihet, u pa edhe gjatë ditëve të javës së kaluar, kur për shkak të defektit teknik në bllokun B1 të termocentraleve Kosova B, kishte mungesë evidente të rrymës dhe Kosova ishte e detyruar të importojë një sasi të rrymës. Në bursën hungareze, ku zakonisht Kosova blen rrymë, një megavat-orë këto ditë, në të shumtën nuk ka tejkaluar çmimin 100 euro, madje edhe në orët e pikut, dhe me këtë çmim e importoi Kosova rrymën e munguar, ndërsa dihet në dimrin e vjetshëm dhe të parvjetshëm Kosova ka importuar rrymë edhe me çmimin mbi 500 euro për një megavat”, deklaroi ai për Front Online.
Ndërsa, gjatë vitit 2023, Gjata tha se çmimi i energjisë në tregjet ndërkombëtare ka rënë deri në 40 euro.
Ngritjen e çmimit të energjisë në 2021, Gjata thotë se ZRRE e bëri fshehtë.
“Gjatë periudhës së verës dhe me mot më të ngrohtë, gjatë tërë vitit 2023, çmimi i rrymës në tregun ndërkombëtar, ka qenë shumë më i ulët se 100 euro megavati. Ka pasur raste që një megavat ka kushtuar edhe më pak se 40-50 euro. Së dyti, (pse Kosova nuk ka arsye të ngritë çmimin e rrymës) është rikthimi i bllok-tarifave më 2021, që ishte praktikisht një ngritje shumë e madhe e çmimit dhe që ishte e fshehtë, e padeklaruar dhe perfide nga ana e ZRRE-së”, u shpreh ai për Front Online.
Gjata: Çmimet e rrymës në Kosovë stratosferike, ZRRE-ja t’i zbresë tarifat