Televizioni “CNN” dhe gazeta “The New York Times”, duke përdorur të dhënat e tyre, kanë raportuar se Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rekord të të vdekurve nga koronavirusi për 24 orë.
Sidoqoftë, Universiteti “Johns Hopkins” ende nuk ka konfirmuar një gjë të tillë. Sipas të dhënave të fundit të këtij universiteti, Shtetet e Bashkuara më 1 dhjetor kanë shënuar shifrën më të lartë të viktimave që nga prilli dhe të dytën më të madhe që nga fillimi i pandemisë.
Gazeta “The New York Times” ka raportuar se gjatë 24 orëve të kaluara në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar mbi 2.760 të vdekur, ndërsa televizioni “CNN” raportoi se gjatë kësaj periudhe u regjistruan 2.670 të vdekur.
Cilado qoftë shifra e saktë, këta numra janë shumë më të mëdhenj se shifrat e regjistruara në shtete tjera të mëdha dhe përbëjnë rekord të pakontestueshëm botëror.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë shifrat e përgjithshme më të larta të të infektuarve dhe të vdekurve në botë.
Me ardhjen e presidentit të ri, Joe Biden, pritet që politika e Shtëpisë së Bardhë rreth menaxhimit të gjendjes së shëndetit publik dhe luftimit të pandemisë të ndryshojë në masë të konsiderueshme.
Vetë i zgjedhuri president e ka kritikuar ashpër paraardhësin e tij, Donald Trump, për mungesë të planit dhe strategjisë për ta menaxhuar situatën.