Gjatë 24 orëve të kaluara, në Rusi u regjistruan 28.782 raste të reja të koronavirusit, që është shifra më e lartë prej fillimit të pandemisë.
Pas rasteve të reja, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Rusi shkoi në mbi 2 milionë e 431 mijë, që është një ndër shifrat më të larta në botë. Më shumë raste se Rusia kanë vetëm Shtetet e Bashkuara, India dhe Brazili.
Në anën tjetër, numri i përgjithshëm i viktimave është mbi 42 mijë, që është shifër shumë më e ulët se në shtetet me më së shumti të infektuar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Ndryshe, presidenti rus, Vladimir Putin, i ka urdhëruar zyrtarët rusë këtë javë që t’i marrin masat për fillimin e vaksinimit masiv të popullsisë, pavarësisht se efikasiteti i vaksinës ruse është vënë në pikëpyetje.
Të shtunën, Rusia e filloi vaksinimin e popullsisë me vaksinën Sputnik V, e cila ende po i nënshtrohet testimit.