×
  • Lajme
  • Lajme

    Refuzohet padia për shpifje e ish-asamblistit të AAK-së ndaj Mimoza Kusari-Lilës

    FrontOnline
    15 Mars 2021

    Gjykata Themelore në Gjakovë, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë, në rastin ku ish-asamblisti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kuvendin Komunal të Gjakovës, tani drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë, Dervish Tahiri, e ka paditur për shpifje deputeten tani të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.

    Me pretendimin se në një mbledhje të Kuvendit Komunal të Gjakovës të mbajtur në vitin 2019, Kusari-Lila ka shpifur ndaj paditësit Tahiri, tani ky i fundit po kërkon kompensim demi në shumën e përgjithshme prej 3,200 euro.

    Në aktgjykimin e përpiluar nga gjykatësi Malsor Kryeziu, e të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” , thuhet se në rastin konkret, në bazë të gjendjes faktike të vërtetuar, gjykata e refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e paditësit, pasi që sipas bindjes së gjykatës pretendimet e palës paditëse janë të pabazuara.

    “Pretendimet e palës paditëse janë të pabazuara pasi që paditësi Dërvish Tahiri, nuk ka arritur me asnjë provë të argumentojë faktin qenësor se e paditura përmes deklaratave të saj në mbledhjen e Asamblesë Komunale ka fyer dhe shpifur ndaj paditësit, ku iu ka drejtuar duke i thënë “ku është Dervish Tahiri le të del të tregon se cilat marrëveshje i ka bërë me krejt ata pronaret për ndërtim”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit.

    Tutje në arsyetim të aktgjykimit thuhet se në mbledhje të kuvendit komunal ka qenë duke u biseduar për çështje me interes publik të komunës së Gjakovës dhe e paditura ushtron funksion publik dhe mund t’i shpreh pikëpamjet e saj për ndonjë çështje me interes publik.

    “Duke u nisur nga fakti se paditësi nuk e vërteton me prova faktin që e paditura ka pasur për qëllim shpifje apo fyerjen ndaj paditësit, që të njëjtit t’i dëmtohet nderi dhe autoriteti me fjalët e thënë në mbledhjen e Kuvendin Komunal të Komunës së Gjakovës, në të cilën mbledhje ka qenë duke u diskutuar për çështje me interes publik të Komunës së Gjakovës dhe e paditura ushtron funksion publik dhe mund t’i shpreh pikëpamjet e saj për ndonjë çështje me interes publik, ku mund të shprehen dhe thuhen mendime të ndryshme”, thuhet tutje në arsyetim të aktgjykimit.

    Sipas gjykatës fjalia të cilën e ka thënë Mimoza Kusari-Lila ndaj të paditës Tahiri nuk ka kurrëfar elemente të fyerjes, e po ashtu nuk ka asnjë element të shpifjes, pasi që paditësi me asnjë provë nuk ka argumentuar se nuk ka marrëveshje me pronarët për ndërtim. Paditësi ka mundur ta marrë fjalën dhe ta demantojë të paditurën lidhur me ato pretendime, mirëpo këtë nuk e ka bërë.

    Tutje thuhet se gjykata vlerëson se pretendimi i të paditurës është i bazuar dhe se e njëjta nuk ka publikuar kurrëfarë fakti dhe as deklarate përmes mediave të shkruara ose transmetuesve apo përmes mjeteve tjera, me qëllim të cenimit të integritetit të paditësit, por deklarimin e ka bërë në mbledhjen e dytë të vitit 2019, ku është diskutuar për çështje me interes publik.

    Gjykata ka obliguar paditësin Tahiri që t’ia kompensoi të paditurës Kusari-Lila shpenzimet e procedural në shumën prej 337.80 euro, brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit e nën kërcënimin e përmbarimit.

    Ndryshe, sipas padisë, në mbledhjen e dytë të Kuvendit të Komunës se Gjakovës të mbajtur më 4 mars 2019 e pranishme ishte edhe e paditura Mimoza Kusari Lila si qytetare- publik. Gjatë zhvillimit të seancës së kuvendit si pikë e rendit të ditës ka qenë edhe pika e shqyrtimit të propozim vendimit për ndryshimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Gjakovës i datës 27 tetorit 2015 për Shpalljen të Interesit Publik të Monumentit Kulturor dhe Historik “Kullës Sylejman Vokshi”.

    Tutje, sipas padisë, e paditura, Kusari-Lila gjatë mbledhjes së kuvendit pa të drejtën e fjalës ndërhyn duke e ngritur zërin me akuza kundër ekzekutivit të Komunës dhe asamblistëve të koalicionit qeverisës lokal në Komunën e Gjakovës lidhur me këtë çështje. E paditura i drejtohet me një zë tejet të lartë dhe me një gjuhë shpifëse dhe fyese paditësit Dervish Tahiri, i cili ishte pjesë e publikut, duke ju drejtuar me fjalët: “ku është Dervish Tahiri le të del të tregon se cilat marrëveshje i ka bërë me krejt ata pronaret për ndërtim”, meqenëse e paditura është deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish- Kryetare e Komunës se Gjakovës dhe ka një reputacion të lartë politik dhe ndikim tek qytetarët e Komunës së Gjakovës deklarata e saj e cekur me lartë në prani të mediave dhe qytetareve të Komunës është në kundërshtim me Ligjin Civil Kundër Shpifjes Dhe Fyerjes, me çka i ka shkaktuar dëm paditësit në integritetin personal, profesional në reputacionin e tij dhe kompanisë ndërtuese që është bashkëpronar.

    Sipas padisë, paditësi në mandatin e kaluar ka qenë anëtar i Kuvendit Komunal në Gjakovë në grupin e partisë politike Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe në mbledhjen e mbajtur të datës 27 tetorit 2015 si pikë e rendit të ditës ka qenë kërkesa për shpalljen e interesit të veçantë për parcelat rreth kullës “Sylejman Vokshi”, të cilën kërkesë e ka parashtruar ish- kryetarja e komunës këtu e paditura, në atë mbledhje paditësi ka marrë fjalën dhe ka kërkuar sqarime rreth kërkesës se pse 0.24 ha të ndahen për një projekt të tillë me vlerë të veçantë të trashëgimisë kulturore, dhe pse duhet të ndalet pikërisht në ata kufij apo sepse në kufi të këtyre ngastrave i keni pronat e familjes Kusari, që neve po na bëjnë të dyshojmë se ky shpronësim po i shërben familjeve që janë në kufi me këto ngastra, andaj kishte qenë mirë që të prezantohet projekti orgjinal se si do të duket kulla e heroit të kombit “Sylejman Vokshi” dhe mbi këtë bazë grupi i AAK-së e ka kundërshtuar dhe ka votuar kundër kësaj pike me iniciativën e paditësit për shkak të mungesës së dokumentacionin dhe për shkak të mos pëlqimit të pronareve te atyre parcelave.

    Sipas padisë, Kusari-Lila me fjalët shpifëse dhe fyese siç janë të provuara me prova të bashkangjitura në këtë kërkesëpadi, ka shkaktuar dëm në personalitetin dhe integritetin personal dhe reputacionin e të paditësit, sepse i njëjti mbi 19 vite është i punësuar në administratën e Komunës së Gjakovës, dhe është bashkëpronar i kompanisë ndërtimore “EGZONI-D”, me seli në Gjakovë, cila kompani aktivitetet e saj i kryen në Komunën e Gjakovës dhe me shpifjet e të paditurës ka dëmtuar reputacionin e kompanisë.

    Nga Rubrika
    Lajme14 Nëntor 2024
    Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për FrontOnline ka folur pas deklaratës së liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se kërkon...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot priti në takim gjeneralin amerikan, Wesley Clark, të cilit i shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Modelja e njohur nga Kosova, Heidi Lushtaku, ka dhuruar një donacion prej 10 mijë euro për Qendrën për Promovimin e të Drejtave...
    Të tjera
    Bota/Rajoni14 Nëntor 2024
    Deputeti i PD-së, Lefter Gështenja ka lënë me urgjencë seancën plenare këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas Top Channel, ai...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt, me...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Rreth tre mijë raste të dhunës në familje janë raportuar nga korriku i vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti....
    Lajme14 Nëntor 2024
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin për hapjen e kutive postare për procesin e votimit jashtë Kosovës....
    Lajme14 Nëntor 2024
    Një prind ka publikuar një fotografi të një nxënësi me ngrohëse elektrike në duar, duke shkuar për në shkollë. Siç thotë një...
    Bota/Rajoni14 Nëntor 2024
    Pentagoni është habitur nga zgjedhja e Donald Trump për ta bërë Sekretar të Mbrojtjes Pete Hagseth, një veteran i gardës kombëtare dhe...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.