Një reformë zgjedhore është e domosdoshme për të mënjanuar problemet e vazhdueshme në proceset zgjedhore në Kosovës, dhe për këtë nevojitet konsensus nga ana e partive politike. Kështu u tha në tryezën virtuale të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ku u diskutua “Reforma zgjedhore në Kosovë: Sa është prioritet në programet e partive politike?”.
Drejtori Ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Çertifikim, Ylli Buleshkaj tha se nevojitet vullneti i partive politike për të ndodhur reforma zgjedhore.
Ai tha se para procesit reformues duhet të bëhet një vlerësim i tërësishëm me të gjitha palët e interesit.
“Duhet të jetë gjithëpërfshirës duke marr parasysh rolin tepër të rëndësishëm të partive politike dhe rolin tepër të rëndësishëm të shoqërisë civile e cila është monitoruese e paanshme dhe po ashtu dhe opinionet e institucioneve bartëse më shumë në aspektin teknik sepse pikat kryesore apo orientimi kryesor se kah do shkoj reforma zgjedhore duhet të përcaktohet me konsensus nga partitë politike. Nëse deri më sot kemi pasur një orientim dhe pajtueshmëri të gjerë se sistemi proporcional është më i mirë dhe i duhuri për vendin dhe që është me lista të hapura është më i mirë, kjo nuk do thotë se pas një vlerësimi të dytë do jetë më i miri….Nëse vërehet se dëshirojmë të kemi një formë më gjithpërfshirëse të përfaqësimit të qytetarëve apo më pak përfshirëse të ketë një qeveri më stabile atëherë institucionet politike, apo partitë politike mund të vendosin që të ndërrohet edhe sistemi zgjedhor në Kosovës …i takon më së shumti partive politike që ta marrin flamurin e reformës por duhet me u konsultua me të gjitha palët e interesit”, tha ai.
Adnan Rrustemi kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje tha se çështja e reformës zgjedhore ka qenë tema më e abuzuar politikisht dhe nuk ka pasur trajtim të mirëfilltë nga partitë politike.
Rrustemi tha se Lëvizja Vetëvendosje ka qëndrim se sistemi zgjedhor proporcional me një zonë e me lista të hapura i përfshinë nevojat e Kosovës, por ka nevojë të administrohet legjislacioni për administrimit të zgjedhjeve.
Ai tha se rekomandimet e dala nga misioni vëzhgues i BE-së duhet të merren parasysh gjatë reformës zgjedhore.
“Ne konsiderojmë se sistemi zgjedhor proporcion me një zonë, me lista të hapura në mënyrë komulative i përfshinë nevojat edhe reflekton vendin tonë. Kosova është një vend i vogël është përgjithësisht le të themi i prekshëm shpejt kudo pa dallime rajonale, në ndërkohë që ka nevojë për ta thelluar edhe këtë demokracinë dhe për ta penguar fragmentarizimin e skenës politike siç do të mund të ishte me një sistem tjetër me zona zgjedhore, dhe duhet po ashtu të përqendrohemi që Kuvendi i Kosovës të jetë një reflektim i shoqërisë dhe jo një parcializim rajonal apo një zëvendësim i nivelit të lartë lokal, aq më tepër që ne kemi një sistem të pushtetit lokal ku qytetarët i zgjedhin drejtpërdrejtë edhe përfaqësuesit në Kuvendeve Komunale dhe kryetarin. Por në Kosovë natyrisht që ka hapësirë për tu përmirësuar legjislacioni në dimensionin e administrimit të zgjedhjeve. Ka ende defekte në përputhje edhe me rekomandimet e të dhënave nga misioni i vëzhguesve të BE-së, për çdo palë zgjedhje dhe që nuk janë adresuar asnjëherë“, theksoi Rrustemi.
Ai tha se duhet të përmirësohen listat e votueseve, mënyra e votimit të diasporës, si dhe të hiqen votat me kusht.
Adnan Rrustemi i cili është edhe kandidat për deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit e ka konsideruar absurde vendimin e KQZ-së për t’i telefonuar qytetarët jashtë Kosovës me qëllim që ata të fitojnë të drejtën e votës. Ndërsa, kërkoi që të fuqizohet pavarësia e Zyrës përRegjistrimin e Partive Politike dhe Çertifikim, për çka tha se vendimi i KQZ-së për të mos përfillë rekomandimin e kësaj zyreje për certifikimin e listave të kandidatëve, paraqet cenim të pavarësisë për këtë organ.
“Ne mendojmë që duhet të përmirësohet procesi zgjedhor në kuptimin e përmirësimit të listës së votuesve në Kosovë, duhet të përmirësohet baza ligjore për tu mundësuar bashkatdhetarëve që të votojnë në konsullata dhe ambasada të Kosovës dhe ky është standard ndërkombëtar. Sepse votimi përmes postës po e shohim se ka shumë vështirësi dhe pengesa dhe madje po i shtohen të tjera me motive politike siç kanë ndodhur në këtë proces. Sepse njerëzit që merren me zgjedhje dhe unë kam qenë gjatë në KQZ-së e kuptojnë se çfarë absurditeti ka bërë KQZ duke vendosur kriter të fitimit të së drejtës së votës për pasjen e numrit të telefonit ose të përgjigjur në telefonat…..Natyrisht duhet të rriten kapacitetet profesionale në KQZ duhet të fuqizohen pavarësia e Zyrës që edhe kjo pavarësi që ka u cenua së fundmi në KQZ duke mos u përfillë vlerësimi dhe rekomandimi profesional në rastin e certifikimit të listave të kandidatëve”, tha ai.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shkëlzen Hajdini deklaroi se të gjitha partitë politike duhet të gjejnë një konsensus dhe të nxjerrin një ligj të mirë dhe të aplikueshëm për vendin tonë për zgjedhjet e përgjithshme.
Hajdini tha se tashmë është evidente se financimi i partive politike ballafaqohet me mungesë transparence, dhe mbetet parakusht që të propozohen ndryshimet e nevojshme qe projektligji aktual të jetë i zbatueshëm nga i gjithë spektri politik.
“Kemi parasysh që edhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme ka vit të tëra që është aprovuar dhe po ashtu kemi parasysh që është nevoja e madhe që të rishikohet edhe ligji për Financim të Partive Politike…Të gjitha partitë politike duhet të gjejnë një konsensus dhe të nxjerrin një ligj të mirë dhe të aplikueshëm për vendin tonë për zgjedhjet e përgjithshme. Ne e dimë sistemi që e kemi dhe unë personalisht nuk kam vërejtje për sistemin, megjithatë konsideroj konsideroj që është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të ulen dhe të gjendet një konsensus dhe të shihet se cili sistem mund të jetë më i përshtatshëm për vendin tonë. A mund të jetë sistemi proporcial ,zonal nga se nuk mundemi tani të them se cili është më i miri ngase secili sistem ka pro dhe kontra efekte në avancimin e mëtejmë të zgjedhjeve në Kosovë. Sistemi proporcial krijon mundësinë e kyçjes edhe të partive të vogla, krijon përfaqësim dinjitoz në parlamentin e Kosovës nga partitë, por edhe sistemi zonal ka përparësitë e tyre sepse krijon përfaqësim të drejtpërdrejt nga zonat që përfaqësohen deputet…Duhet të gjejmë një konsensus pasi shihet që ka vërejtje të theksuara edhe në sistemin të cilin e aplikojmë por edhe në financim të partive politike. Duhet të bëhet shumë në plotësim ndryshimin e ligjit për financim të partive politike”, tha ai.
Lirika Agusholli nga GLPS-së tha se modeli elektoral më i përshtatshëm për Kosovën është modeli i sistemit zgjedhor proporcional.
GLPS konsideron se Projektligji për Financimin e Partive Politike duhet të mbetet prioritet për qeverinë në ardhje dhe i njëjti duhet të mbetet sipas rekomandimeve të shoqërisë civile dhe Komisionit të Venecias.
Sipas saj reforma zgjedhore duhet të përfshij edhe forcimin e organeve për menaxhimin e zgjedhjeve.
“Pavarësisht kësaj është një disavantazh i dukshëm sepse jo të gjitha rajonet e Kosovës përfaqësohen mirë në mesin e 120 vendeve në Kuvendin e Kosovës. Përfaqësuesit nuk janë veçanërisht të afërt ose nuk mund ta bëjnë përgjegjës drejtpërdrejtë nga një qark i caktuar deputetin në fjalë. Sistemi i një rrethi të vetëm mund të dërgoj edhe në fushata të padrejta sepse jo të gjitha partitë apo kandidatët kanë mundësi për të financuar fushatat në mbarë vendin për një shtrirje maksimale. Raporti ynë konkludon se në rastin specifik të Kosovës si shtet i dal nga lufta dhe relativisht multietnik, modeli elektoral më i përshtatshëm për caktimin e vendeve dhe anëtarëve të zgjedhur drejtpërdrejtë të parlamentit është sistemi zgjedhor i përfaqësimit proporcional. Kjo lejon që partitë më të vogla të fitojnë vendet e Kuvendit në vend që pushtetit të ndahet vetë në mes të partive të mëdha. Nga anën tjetër një ndarje e tillë e përfaqësuesve në vendet e Kuvendit ndez një ndjenë të qytetarisë pjesëmarrëse dhe aktive. Një ndryshim më i theksuar që mund të propozohet është zëvendësimi i sistemit të votimit si zonë e vetme elektorale po me zona elektorale të mesme, kjo do lejoj një përgjegjësi më të lartë në mes të deputetëve të zgjedhur dhe zonave t]ë tyre elektorale dhe përfaqësim më të mirë të rajoneve tërë popullore”, tha ajo.
Më 14 shkurt qytetarët e Kosovës do të votojnë për të zgjedhur kryeministrinë e ardhshëm të Kosovës. Kandidat për këtë post janë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj.