Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend. Ai ka thënë se pamjet që kemi parë ditëve të fundit që fatkeqësisht po vazhdojnë edhe sot janë tërësisht të panevojshme dhe si të tilla po vazhdojnë të tronditin themelet e shtetit dhe mbi të gjitha po vazhdojnë të tronditin themelet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që për ne është e shenjtë.
Gjithashtu, ministri Reçica tha se jemi para një realiteti ku askush nuk është për të mos e respektuar drejtësinë, siç e thanë edhe vet protagonistët të cilët u atakuan nga kjo ngjarje që qetësia, urtësia dhe maturia na duhet më shumë se kurrë.
“Ne duhet me veprime konkrete të kryejmë përgjegjësitë tona ndaj protagonistëve dhe familjeve të tyre, ta dinë se shteti është me ta dhe e kanë mbështetjen gjatë procesit nga Gjykata Speciale. Ne kemi ligjin për këtë gjë dhe nuk besoj se do të kemi pengesa për realizimin e saj”, ka thënë ministri Reçica gjatë kësaj mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë.
Po ashtu, ministri Reçica tha se, ne kemi obligim dhe bëj thirrje për një unitet të gjithmbarshëm politik, për t’i përballuar më lehtë këto sfida me të cilat po përballet vendi ynë dhe çlirimtarët e saj. Është paradoks arrestimi i krerëve të UÇK-së ë Kosovë ndërsa zëdhënësi dhe ministri i informacionit të Serbisë së Millosheviqit janë kryetar parlamenti dhe president shteti të Serbisë sot, ka thënë Recica.
Në fund të fjalës së tij, ministri i MPMS nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Skender Reçica ka thënë se, ne duhet të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar që kryesit e vërtetë të krimit në Kosovë të vihen para drejtësisë, sepse gjenocidi është udhëhequr nga hegjemonizmi serb i prirë nga Millosheviqi, dhe akterët e tij kryesorë, të cilët sot udhëheqin me atë shtet.