Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditue se me qëllim të mbështetjes së vazhdueshme për punëkërkuesit në Kosovë, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, ka shpallur të hapur fazën e dytë të Programit të Vetëpunësimit 2020, për punëkërkuesit e riatdhesuar në Kosovë, raporton Gazeta Express.
Lidhur me këtë, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se, me anë të programit do të mbështeten punëkërkuesit e riatdhesuar, në hapjen e bizneseve të tyre të profileve të ndryshme, biznese që janë në gjendje t’i mbijetojnë tregut konkurrues të punës. Po ashtu, ai ka thënë se, kjo përkrahje e shtuar vjen në këtë kohë të përballjes me pandeminë COVID-19, në mënyrë që punëkërkuesit në Kosovë të ndjejnë edhe më shumë dorën kujdesit nga shteti.
Gjithashtu, ministri Recica ka theksuar se në Fazën e Parë të Programit të Vetëpunësimit këtë vit, janë mbështetur 136 punëkërkues të riatdhesuar të cilët tashmë kanë hapur bizneset e tyre dhe kanë nisur punën.