Real Madridin do ta presë një punë e vështirë sonte.
“Los Blancos” do ta vizitojnë Athletic Bilbaon në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 16-të të La Ligës.
Aktualisht, kampionët e Spanjës dhe të Evropës i kanë 33 pikë, katër më pak se liderja Barcelona, por edhe dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Katalunasit fituan mbrëmë bindshëm 5:1 ndaj Mallorcës së Vedat Muriqit duke i dhënë fund serisë negative, e cila ia mundësoi ekipit madrilen të afrohej.
Sidoqoftë, tash ekipi i Carlo Ancelottit do ta ndiejë presionin pasi i nevojitet gjithsesi fitorja sonte në tokën baske për t’i qëndruar “në bisht” rivales së përbetuar për titull të kampionit.
Natyrisht, nëse i fiton këto dy ndeshje, Reali do ta merrte primatin në kampionatin spanjoll.
Mirëpo, edhe Athletic Bilbao i ka bërë llogaritë e veta pasi gjendet në Top 4 dhe dëshiron ta ruajë këtë pozitë me një fitore eventuale ndaj “Los Blancos”.
Ndeshja mes Athletic Club dhe Real Madridit do të luhet sonte duke filluar nga ora 21:00. /Gazeta Express/