Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ndaj komunikatës së VV-së, pasi kjo e fundit ka krahasur shifrat e vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në vend, me ato të luftës.
Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi duke e cilësuar këtë deklaratë si fyerje të dyfishtë, ka thënë se Qeveria Kurti, sipas tij, ka sakaq përgjegjësi sa Qeveria Hoti për numrin e madh të viktimave me COVID-19.
“Analogjia e Levizjes Vetevendosje ne mes te viktimave te Covid-19 me ata te luftes eshte fyerje e dyfisht per kete te fundit, e me se paku mos respekt per keta te paret. Mos keshtu, me disa gjera nuk behet politike. Edhe ne fund, Qeveria Kurti eshte po aq pergjegjese sa vet Qeveria Hoti per numrin e madh te viktimave nga ky virus!”, ka shkruar ai në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje ka krahasuar shifrat e vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në vend, me ato të luftës.
Në reagimin e VV-së thuhet se përhapja e koronavirusit u menaxhua aq mirë me qeverinë Kurti sa arritëm në zero raste dhe Kosova u bë shembull botëror për menaxhimin e pandemisë.
“Pas rrëzimit të saj dhe votimit të paligjshëm të qeverisë koti, humbi besimi te qeveria. U sëmur shteti. Sistemi shëndetësor u mbingarkua. Numri i vdekjeve i ngjante statistikave të luftës. Kjo gati se nuk solli një katastrofë humanitare me mbi 600 të vdekur, dhe ndodhi në fund të valës së parë kur vendet tjera e kishin vënë në kontroll virusin”, thuhet në postimin e tyre.