Mbrëmë policia e Drenasit ka arrestuar Mulla Osman Musliu, imamin e njohur të Drenicës.
Burime të Ballkani.info bëjnë të ditur se Mulla Osmani është arrestuar pas sulmit fizik ndaj një punëtorë të Bashkësisë Islame në Drenas.
Mirëpo, Mulla Osman Musliu në një përgjigje për Ballkani.info pas lirimit nga masa e arrestit ka thënë se ai është sulmuar fizikisht nga Eset Bajraktari, sekretari i BIK-ut në Drenas.
“Sekretari me ka sulmuar mua, jo unë atë dhe të dytë kemi qenë në mbajtje. Unë vetëm jam vetëmbrojtur. Nëse del ndryshe siç po them, unë jam përgjegjësi”, ka thënë Osmani.
Tutje ai ka mohuar që ta ketë thyer me dhunë një derë në zyren e BIK-ut, duke thënë se ai nuk e ka uzupuar zyrën. “Unë jam ai që e ka ndërtuar atë objekt, prandaj nuk mund të jem uzurpator”, ka theksuar tutje Osmani.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e dy personave pasi që pas një mosmarrëveshje kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin.
“Të dyshuarit nuk kanë pasur lëndime të dukshme si dhe nuk kanë pasur nevojë për tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili urdhëron që pas intervistimit të dyshuarit të ndalen në qendrën e mbajtjes në Drenas për 48 orë”, thekson policia.