Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, i ka dërguar letër urimi liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, pas zgjedhjes së këtij të fundit kryeministër.
Në një komunikatë për media, partia që tashmë drejtohet nga Lumir Abdixhiku thonë se janë të brengosur me afërsinë që kryetarja e Kushtetueses po tregon me pushtetin.
“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shprehë brengosje për afërsinë e paprecedentë të Gjykatës Kushtetuese me Qeverinë – përkatësisht pushtetin”, thuhet në reagim.
“Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese ka qenë vlerë e jashtëzakonshme e pjekurisë demokratike të institucionit që për vite ka ruajtur kredibilitetin e vet. Pushteti i Gjykatës është i ndarë dhe i pavarur nga ai i Qeverisë dhe si i tillë duhet të mbetet gjithëherë”, shton tutje njoftimi.
Nga partia e Abdixhikut thonë se në çfarëdo urimi dhe afrimi me pushtetin i kryetares në emër të Gjykatës krijon precedent dhe dëshmon se po cenohet integriteti i Kushtetueses si institucion.
“Tani çdo afrim, i Kryetarës së Gjykatës, në emër të Gjykatës, qoftë edhe si urim, i paprecedentë e i pazakontë dhe mbi të gjitha anues, dëshmon për cenimin e kredibilitetit të institucionit në fjalë; në kohë kur paanshmëria është vlerë thelbësore e demokracisë”, thuhet në njoftim./Front Online/