Së fundmi është raportuar në media se klubi i Feronikelit nuk i ka paguar pagat e futbollistëve që prej muajit dhjetor, raporton FrontOnline.
Madje, u tha se futbollistët e klubit drenicas kanë bojkotuar seancën e djeshme stërvitore për shkak të mos-përmbushjes së detyrimeve financiare.
Megjithatë, zëdhënësi i Feronikelit, Erlind Krasniqi i ka mohuar kategorikisht këto zëra, duke thënë se “Nikli” nuk është aspak në krizë financiare.
Në një prononcim për FrontOnline, Krasniqi thotë se për Feronikelin shkruhet vetëm për këso gjërash, dhe jo për premitë e paguara nga klubi.
“Është interesant fakti që asnjë gazetë nuk shkruan për premitë që paguhen nga Feronikeli. Asnjë gazetë nuk shkruan nga ‘burime brenda klubit’ për premi. Sidoqoftë, nuk kanë faj, pasi që lajm bëhet vetëm kur shkruajnë se Feronikeli është në krizë për atë apo këtë arsye”, ka thënë fillimisht Krasniqi, duke vazhduar:
“Feronikeli për momentin mund të jetë vetëm në krizë tabelore dhe nuk ka e as nuk do të ketë krizë tjetër”.
Një raportim të tillë, Krasniqi e ka quajtur “tendencë” në prag të derbit me Drenicën.
“Sidoqoftë, si klub kjo është hera e parë që përpijmë një lajm të pavërtetë dhe të pa verifikuar. Nuk e di një rast të vetëm kur nuk ju kemi përgjigjur medieve. Të lansosh një lajm të tillë në prag të derbit, është tendencë në të cilën nuk do të biem”, deklaroi të mërkurën për FrontOnline Erlind Krasniqi./FrontOnline/