Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që rasti i Suzana Zogiani-Sekiraqa të kthehet në rigjykim.
Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media, ka thënë se Suzana Zogiani-Sekiraqa është dënuar me 25 vjet burgim, për vrasjen e bashkëshortit të saj.
“Më 6 nëntor e kemi dëgjuar rrëfimin e Suzanës. Rrëfimi i saj të shton bindjen se jeta e grave vlen më pak se e burrave në peshoren e gjyqësorit të Kosovës. Suzana është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortit të saj, ndërsa në gjykim nuk është marrë parasysh se ajo dhe fëmijët e saj janë dhunuar për disa vite nga u ndjeri. Asnjë rrethanë lehtësuese nuk është konsideruar në vendimin për të. Për të është iniciuar edhe një peticion ku kërkohet falje për Suzanës. Prej atëherë, mbi 8 mijë persona kanë nënshkruar për të”, tha ajo.
Kurti tha se gjykatat në Kosovë po japin më shumë dënime për gratë se për burrat.
“P.sh rasti i Suharekës, burri i Zejnepe Bytyqit është dënuar me 12 vite ndërsa kur një grua sistematikisht dhunohet nga burri dënohet me 25 vite burgim. Edhe Pjetër Ndrecaj është dënuar me 24 vite e 6 muaj në rastin e vrasjes së Valbonës dhe vajzës së saj. Ky sistem po ju jep pushtet burrave ”, tha ajo.
Sipas saj, rasti i Suzanës është i qartë që gjyqtarët nuk po e shohin të vërtetën.
“Burgjet e grave janë të mbushura e të cilat kanë qenë të dhunuara nga burrat. Vendimet e gjykatave duhet t’i frikësojnë e jo t’i motivojnë ata që ushtrojnë dhunë. Ky rast duhet të kthehet në rigjykim. Është më e pakta që mund të bëhet”, shtoi ajo.
Suzana Sekiraqa-Zogiani është dënuar me 25 vjet burgim, pasi vrau burrin e saj me sëpatë në Francë.