Të martën është mbajtur seanca gjyqësore në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin e 2-milionëve të vjedhura nga Thesari i Shtetit.
Siç ka mësuar gazeta Objektiv, në këtë seancë është mbajtur shqyrtimi gjyqësor me kërkesë të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, i cili kishte vendosur urdhrin për ndalimin e përkohshëm të pasurisë ndaj 26 operatorëve ekonomik të cilët dyshohet se dorë pas dore, kanë ardhur deri te përfitimet nga keqpërdorimi i parave të Thesarit të Shtetit.
Prokuroria ka ngritur dyshimet e saj se këto mjete u transferuan në forma të kundërligjshme.
E për këtë, prokurori i rastit ka kërkuar nga Gjykata që këtyre bizneseve t’u vendoset urdhri afatgjatë për ndalim të pasurisë.
Por këtë e kanë kundërshtuar njëzetekatër pronarët e bizneseve të cilët përmes avokatëve të tyre mbrojtës janë deklaruar të pafajshëm.
Në këtë seancë ishte prezent edhe zyrtari i Thesarit të Shtetit, Labinot Gruda i cili dyshohet se ka transferuar jashtëligjshëm më shumë se dy milionë euro nga buxheti në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.
Po ashtu prezent ishte edhe pronari i “LDA Group”, Kadri Shala kompania e të cilit ishte e përfshirë në skandalin e vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Ndërkohë të mërkurën, pritet të vazhdoj seanca ku do të dëgjohen edhe dy pronarë të bizneseve, e më pas Gjykata do të vendosë për propozimin e Prokurorisë, apo për një masë tjetër më të butë ndaj tyre.
Më 21 tetor gazeta Objektiv kishte raportuar ekskluzivisht për “avullimin” e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit për t’u konfirmuar më pas edhe nga ministrja e financave, Hykmete Bajram.