Turqia ka vendosur bllokimin e saj të parë në fundjavë që nga maji, pasi infeksionet dhe vdekjet nga koronavirusi kanë arritur shifra rekord në ditët e fundit.
Vendi me 83 milionë banorë regjistroi të premten 32,736 raste të reja, përfshirë ato asimptomatike, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë në mars.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve u rrit me 193 një ditë më parë, duke prekur një nivel rekord ditor.
Pamjet e transmetuara nga televizioni turk të shtunën, tregojnë sheshe dhe rrugë të zbrazëta në qytetin më të madh të vendit Stambollin, kryeqytetin Ankara dhe qytetin e tretë më të madh Izmir, me vetëm disa njerëz dhe automjete jashtë.
Ministri i brendshëm Suleyman Soylu deklaroi se shumica e njerëzve po u bindeshin rregullave të bllokimit.
Turqia renditet tani e katërta në të gjithë botën për numrin e rasteve të reja ditore, pas Shteteve të Bashkuara, Indisë dhe Brazilit, të gjitha këto vende me popullsi shumë më të madhe se Turqia.
Për katër muaj, Turqia raportoi vetëm raste të përditshme simptomatike, por ajo ka raportuar të gjitha rastet që nga 25 nëntori. Të dhënat historike për të gjitha rastet pozitive dhe totali i tyre ende nuk janë në dispozicion.
Turqia vendosi për herë të fundit mbyllje të plotë të fundjavës në qytete të mëdha në maj. Ajo njoftoi mbikëqyrjen mbarëkombëtare të fundjavës muajin e kaluar, por masat e marra nuk parandaluan rritjen e rasteve të reja dhe vdekjeve.
Presidenti Tajip Erdogan njoftoi mbylljen e plotë të fundjavës deri të hënën, si dhe kufizime gjatë ditëve të javës. Ai tha se masat kundër koronavirusit po merreshin me kujdes për të minimizuar ndikimin në ekonomi.