
Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor ku Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij erdhi pasi deputetët e Listës Serbe nuk arritën të siguronin votat e nevojshme, pavarësisht se kandidatura e tyre u votua tri herë.
Më 16 tetor, Lista Serbe dorëzoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar se procesi i zgjedhjes ka shkelur Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe një aktgjykim të mëhershëm të vetë Kushtetueses.
Nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq ka reaguar për “Front Online” pas dorëzimit të ankesës së Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me zgjedhjen e tij në këtë post.
Rashiq tha se e kishte pritur një veprim të tillë nga Lista Serbe, të cilën e akuzon për qasje të vazhdueshme destruktive.
“E kam pritë që do të jenë kundër proceseve të konstituimit të Kuvendit sikurse kanë treguar dhe në çdo formë kur jam unë në pyetje sipas tyre oponentë kryesor dhe nuk pres asgjë tjetër përveç një destruktivitet në metodën e përgjithshme nga Lista Serbe”, thotë Rashiq.
Sipas Rashiqit, ankesa nuk ka bazë ligjore, pasi janë shteruar të gjitha opsionet dhe ligji për Kushtetutën nuk parasheh ndonjë alternativë tjetër në këtë rast.
“Kushtetuesja nuk ka bazë se ashtu sikurse është e shkruar në ligjin për Kushtetutë nuk ka opsion tjetër pasi i kemi harxhuar të gjitha metodat tjerë. Nuk e shoh të arsyeshme të kemi një ankesë të Listës Serbe por e bëjnë si destruktivitet që e kanë si parim ata në aspektin e përfaqësimit politik”, deklaroi Rashiq për “Front Online”.
Nenad Rashiq: Do ta mbështes Qeverinë ‘’Kurti’’, ndajmë parime të përbashkëta
Nenad Rashiq, nënkryetari i ri i zgjedhur në Kuvendin e Kosovws në një prononcim për “Front Online” ka konfirmuar se do ta mbështesë Qeverinë Kurti 3 në votim, duke shprehur gatishmërinë e subjektit që ai përfaqëson për të vazhduar bashkëpunimin me kryeministrin Albin Kurti.
“Tash nuk kemi biseduar në këto ditë të fundit por kemi biseduar më herët në bashkëpunimin e mundshëm më të gjerë dhe normal që ka gatishmëri për bashkëpunim dhe vullnet pozitiv nga ana e partisë që e përfaqësojë për vazhdimin e bashkëpunimit”, u shpreh ai.
Ai shtoi se pret një komunikim shtesë me Kryeministrin para seancës së 26 tetorit.
“Besoj që para datës 26 do të kemi edhe një komunikim. Normalisht që është për vota ime për qeverinë Kurti se koncepti që Kurti ka prezantuar nga fillimi që nuk ka bashkëpunim me Listën Serbe ku edhe ne e kemi atë parim prandaj ka hapësirë për bashkëpunim mes nesh”, deklaroi Rashiq.
Afati kushtetues për prezantimin e Qeverisë skadon më 26 tetor.
Lista Serbe, partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë, ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe të rregulloreve të brendshme.
Ankesa u paraqit më pak se një javë pas konstituimit të Kuvendit./FRONT ONLINE