×
  • Lajme
  • Lajme

    RAPORTET ME SHBA-të/ Të shkëlqyera me qytetarët, të hatruar me Qeverinë

    FrontOnline
    04 Korrik 2024

    Ambasada amerikane në Kosovë ka organizuar të martën në mbrëmje pritje për nder të 248-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.

    Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka thënë se edhe më tutje, shoqëria amerikane vazhdon të udhëhiqet nga parimi i barazisë e lirisë dhe se SHBA është krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës për të vendosur paqe e siguri.

    Por për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, muaj më parë Kurti kishte thënë se bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara është i mirë, por se kjo nuk do të thotë që dy vendet “pajtohen absolutisht për gjithçka”.

    Kjo si pasojë e “mospajtueshmërisë” për çështjen e dinarit e po ashtu edhe për implementimin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Opozita lidhur me raportet e SHBA me Kosovën thonë se është kryeministri i parë i Kosovës që solli raporte të kushtëzuara me në aletat siç është Amerika.

    Në anën tjetër, deputetja e LVV njëjtë sikurse eprori i saj, konsideron që jo për gjithçka duhet të ketë pajtueshmëri, madje edhe me SHBA-të. Deputetja Tishukaj konsideron se asnjë imponim nuk mund t’i bëhet Kurtit, pasi ai përfaqëson vullnetin e 50% të popullit dhe vendos ai për të ardhmen e këtij vendi.

    Pacolli: Raportet Kosovë-SHBA në pikën më të ulët, e paprecedentë që për tri vite su prit asnjë lider në Shtëpinë e Bardhë

    Ish ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli për “Front Online” thotë se marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë në pikën më të ulët.

    Sipas tij, nuk ka ndodhur që lideri i Kosovës të mos jetë pritur në Shtëpinë e Bardhë

    Marrëdhëniet midis Kosovës dhe SHBA-së janë aktualisht në pikën më të ulët të dekadave të fundit. Është e paprecedentë në 3 vitet e fundit që asnjë lider i Kosovës të mos jetë pritur në Shtëpinë e Bardhë, dhe shkëmbimet dypalëshe kanë arritur në një nivel minimal”, tha ai.

    Pacolli thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pasur tensione të mëdha, ku politikat e Kurtit kanë çuar në përkeqesim të këtij raporti.

    “Politikat izolacioniste të qeverisë Kurti kanë çuar në një përkeqësim të raporteve. Kjo marrëdhënie në dobësim paraqet një kërcënim për sigurinë kombëtare, pasi SHBA kanë qenë partneri më i madh i mbrojtjes dhe sigurisë për Kosovën për më shumë se dy dekada.Kurti rrezikon të minojë stabilitetin dhe sigurinë e fituar me shumë mund të vendit tonë. Një ndryshim i tillë në linjë mund të rrezikojë të ardhmen e Kosovës dhe të çojë në një rritje të paqëndrueshmërisë rajonale”, potencoi ai.

    Ish ministri thotë se pa mbështetje të SHBA-së, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare vështirë që realizohet, pasi sipas tij, SHBA-ja ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në avokimin për njohjen dhe integrimin e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar.

    “Pa mbështetjen e SHBA-së, aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare kanë pak gjasa të realizohen, pasi SHBA-ja ka qenë lobuesi kryesor i saj në skenën globale, ku ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në avokimin për njohjen dhe integrimin e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar, gjë që është thelbësore për forcimin e shtetësisë së saj nga jashtë”, tha ai.

    Për Pacollin, gjatë qeverisjes së Kurtit ka pasur mungesë të theksuar të arritjeve në politikën e jashtme

    “Megjithatë, nën qeverisjen e Kurtit, ka pasur një mungesë të dukshme të arritjeve në politikën e jashtme. Ky stagnim i atribuohet kryesisht qasjes izolacioniste të Kurtit dhe mungesës së dukshme të vullnetit për të bashkëpunuar me partnerët e Kosovës”, tha ai për Front Online.

    Tishukaj e VV-së: Miqësia me SHBA e përjetshme, por s’është e thënë që Kurti të pajtohet me të gjitha propozimet

    Deputetja e LVV-së, Mirlinda Tishukaj thotë për “Front Online” se miqësia e Kosovës me SHBA është e përjetshme.

    Por sipas saj, kryeministri nuk është e thënë t’i dëgjojë të gjitha sygjerimet që vijnë, madje as ato të SHBA-vë, dhe se nuk mund t’i bëhen imponime Kurtit, sepse ai përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

    “Nuk është e thënë që kryeministri Kurti të pajtohet me të gjitha propozimet e sygjerimet që vijnë. Tash në tavolinë duhet të mendohet për të ardhmen dhe më të mirë që është për Kosovën. Mund të ketë edhe mospajtime por besoj që mund të ketë përafërime por disa gjëra nuk mund të imponohen për shkak që kryeministri përfaqëson vullnetin e 50% të qytetarëve”, potencoi ajo.

    Por se a mund të ketë “dobësim” të raporteve me SHBA-të për shkak të disa mospajtueshmërive me Koosvën, Tishukaj thotë se pavarësisht disa deklaratave, miqësia vazhdon në shumë aspekte, dhe se mund të ketë mosmarrëveshje por miqësia do të mbetet gjithmonë.

    “Nuk besoj se mosajtueshmëritë ndikojnë në raportet e të dyja vendeve. Pavarësisht disa deklarimeve miqësia jonë me ta vazhdon, pra në aspektin ushtarak e shumë të tjera. Tash, në aspektin politik mund të ketë mospajtime sepse nuk flitet për një person por flitet për të ardhmen e Kosovës, pra mund të ketë mospajtime gjatë rrugës, për argumentet që shtrohen për të ardshmen e këtij vendit”, tha ajo.

    Në fund, Tishukaj thotë se përkundër angazhimeve të mëdha, gjetën kohë të shkojnë në ceremoninë e përvjetorit të Pavarësisë së SHBA, që u mbajt dje në Prishtinë.

    “Miqësia me SHBA-në është një miqësi e përjetshme. Dje, në përvjetorin e SHBA-së, një pjesë e madhe e grupit parlamentar përkundër angazhimeve ditore që i kishim, shkuam me ftesën që na bëri ambasadori Hovenier, është miqësi e përjetshme”, tha deputetja e LVV-së.

    Haziri: SHBA ka raporte të mira me popullin e Kosovës, por jo me Qeverinë aktuale

    Lutfi Haziri nga LDK thotë për “Front Online” se SHBA ka raporte të mira me popullin e Kosovës, por të kushtëzuara me Qeverinë aktuale.

    “Raportet e Kosovës me BE-në edhe SHBA-në, ka disa kohë që janë të kushtëzuara, fatkeqësisht. Në parimin SHBA ka raporte të mira me popullin tonë, por jo me Qeverinë aktuale, i bjen që SHBA vazhdon ta respektojë popullin, me nderu dhe trajtu pavarësinë e Kosovës si të pakthyeshme dhe të vetme. Ndërsa me Qeverinë marrëdhëniet janë të kushtëzuara”, tha ai.

    Haziri thotë se nuk mund të ketë lëkundje në marrëdheniet mes dy vendeve, varësisht qasjes së kryeministrit sot, pasi ato nuk varen nga politikanët.

    “Raportet me SHBA nuk varen nga politikanët, ndërsa varen shumë proceset, progresi, të arriturat që e presin me partnerët. Por, qenia e Kosovës, pavarësia e saj janë të garantuara falë SHBA-së edhe sot”, tha ai.

    Haziri thotë se deri tek raportet e tilla me SHBA-në kanë ardhë si pasojë e mos mosmbajtjes së fjalës, mos zbatimi i obligimeve ndërkombëtare, mos mbajtja e zotimeve që ka Kosova ndaj partnerëve.

    “Kurti i ka ndërtuar këto marrëdhëniet e kushtëzuara si pasojë e mosmbajtjes së fjalës, mos zbatimi i obligimeve ndërkobëtare, mos mbajtja e zotimeve që ka Kosova ndaj partnerëve, mos besimi që e ka shkaktuar Kurti. SHBA ka qenë garantues në proceset e Kosovës, ku andrrat tona janë kthyer në realitet”, tha ai.

    Haziri në fund tha se Kurti është i vetmi që i solli raportet e kushtëzuara në raport më Amerikën. “Është i vetmi kryeministër që ka ndërtuar marrëdhënie të kufizuara”, tha ai për Front Online.

    Haliti: Kosova është fëmiu i SHBA-së, ata na kanë rritë dhe vazhdojnë të na mbështesin

    Deputet i PDK-së, Xhavit Haliti, për FrontOnline, thotë se raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, janë ndërtuar me mund dhe gjak, dhe se SHBA ka përkrahur gjithmonë shqiptarët.

    ‘’Raportet me SHBA-në janë ndërtuar me gjak dhe me mund dhe gjithmonë. SHBA-të kanë qenë në përkrahje të shqiptarëve në përgjithësi dhe në mbështetje të së drejtës së Kosovës për liri dhe shpallje të pavarësisë. Procesi politik i pas luftës ka qenë jo gjithmonë lojal në kuptmin e mirë të fjalës, raporte ka pasur të nxehta kryesisht nga ana e Kosovës për shkak se përvoja politike dhe përvoja e shtet ndërtimit, nuk ka qenë e nivelit në të cilën do të duhej të ishte’’, thotë ai.

    Haliti, shton se në disa çështje ka dallime mes Kosovës dhe SHBA-ve, dhe se dallimet janë me gabime nga lidershipi kosovar.

    “Se a ndryshojnë qëndrimet e SHBA nga qëndrimet politike të lidershipit kryesisht të qeverisjes në Kosovë, mendoj se në disa çështje ka dallime, por dallimet janë me gabime do ta quaja të lidershipit kosovar, të cilët nuk janë në gjendje ndonjëherë të konceptojnë dhe të arrijnë një konkluzion politik se çka duhet bërë sot dhe cka nesër për të ardhmën e vendit. Për çështjet e fundit, e sidomos mos zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë ka pasur diferencë dhe kokëqarje nga Qeveria e Kosovës, dhe ato kokë qarje janë edhe publike. I kanë thënë edhe të dërguarit special, Escobar dhe për këtë arsye edhe ka ndodhur heshtja në raport me masat e BE-së ndaj Kosovës”, shprehet Haliti.

    Deputeti i PDK-së, thotë se SHBA është e madhe dhe qëndrimet politike të Qeverisë së Kosovës kanë mundur të dëmtojnë marrëdhëniet.

    ‘’Kosova është e madhe por SHBA është edhe më e madhe dhe më e fuqishme, kështu që qëndrimet politike të pa artikuluara, publikisht të qeverisë së sotme kanë qenë ato që kanë dobësuar mardhëniet mes Kosovës dhe SHBA’’, tha ai.

    Haliti për fund thotë se Kosova është si një fëmijë i SHBA-ve, pasi që sipas tij, SHBA e ka rritur Kosovën dhe vazhdon ta përkrah e ta ndihmoj tutje.

    “Kosova është fëmiu i SHBA-së, ata na kanë rritë dhe po vazhdojnë të na mbëhstesin dhe të na ndihmojmë, se çka do me thënë shtet dhe përgjegjësi për shtetin, tani dëshirat janë dëshira, por ajo që unë e vlerësoj është qëndrimi i pandryshuar i SHBA për Kosovës dhe kriitkat miqësore, ndonjëherë edhe të hidhura, të cilat i bën për të mirën tonë”, potencon ai për FrontOnline.

    Ukaj: Raportet SHBA-Kosovë të lënduara, rregullimi i tyre vetëm pas largimit të Kurtit nga qeverisja

    Njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj thotë për “Front Online” se për herë të parë në histori ndodhë që raportet SHBA-Kosovë të jenë të lënduara, si pasojë e sjelljes së kryeministrit Kurti ndaj aleatëve tanë.

    “Ambasadori Hovenier ka qenë i qartë, ai për herë të parë tha se raportet në mes të SHBA-ve dhe Kosovës janë të ‘lëndume’. Ky lëndim i raporteve është bërë për gjatë qeverisjes Kurti dhe ka ardhë si pasojë e mosdëgjueshmërisë e kryeministrit ndaj propozimeve të aletatit tonë, SHBA-së. Për herë të parë që nga lufta,pas lufta, shpallja e pavarësisë e der më sot, janë raporte të lënduara me SHBA”, tha ai.

    Ukaj thotë se ky rregullim i raporteve të lënduara bëhet vetëm pas largimit të kryeministrit aktual nga qeverisja.

    “Siç duket SHBA vazhdojnë të kenë një hatërmbetje ndaj kryeministrit të kësaj qeverie. Mendoj që rregullimi i raporteve mund të vie vetëm me largimin e kryeministrit nga qeverisja dhe qeveria”, potencoi ai.

    Sipas njohësit të çështjeve politike, raportet e lënduara në mes të dyja vendeve kanë sjellë pasoja si mos anëtarësimi i Kosovës në KiE. Poashtu, sipas tij, ndikojnë në rrugëtimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    “Këto raporte kanë ndikuar në proceset e Kosovës. Kur menduam të gjithë se është e sigurt anëtarësimi i Kosovës për në KiE, qaloi procesi. Pra lëndimi i këtyre raporteve e ka stagnuar edhe rrugën e Kosovës për në organizata ndërkombëtare dhe siç duket mosrregullimi i tyre me SHBA-në, Kosova e ka të sabotuar rrugën e saj”, tha Ukaj për Front Online.

    *Ky artikull u realizua nga mediumi “Front Online”, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

    Nga Rubrika
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan Ndërmarrjen e ujit KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, për t’u...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka kërkuar që KEDS-i të sigurojë furnizim më të shpejtë me energji për qytetarët e...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një takim me Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane. Ai ka thënë se rritja e...
    Të tjera
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një operacion policor në komunën e Graçanicës. Nga ky operacion dy persona janë shoqëruar në polici...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Përfaqësuesi i VV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka thënë se nuk do të ankohen në Gjykatën Supreme për vendimin...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Gjykata Kushtetuese, ka vendosur se vendimi i 15 dhjetorit të vitit 2023 i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Policia e Kosovës sot u njoftua për një valixhe të dyshimtë afër një ndërtese banimi sot në Ferizaj. Policia tha se në...
    Vip26 Dhjetor 2024
    Ndërhyrjet në fotografi po bëhen me të madhe nga shumica e përdoruesve të rrjeteve sociale. E radhës që ka dështuar me editimin...
    Vip26 Dhjetor 2024
    Mëngjesin e sotëm Vullneti ka vendosur të hakmerret ndaj Gjestit, Drilonit dhe Leos për prishje të gjumit dhe qetësisë gjatë  natës. Ai...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.