Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci në një prononcim për “Front Online” ka theksuar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk është në nivelin e duhur dhe se raportet nuk mund të maten vetëm përmes këmbimit tregtar, arsimit apo kulturës.
Ai shprehu shqetësimin se marrëdhëniet mes dy shteteve janë ende të vakëta dhe të kufizuara, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë në një nivel më të thellë.
“Nuk e shoh të kënaqshëm raportin Kosovë-Shqipëri, raporti nuk matet vetëm me këmbimin tregtar, bashkëpunimin në arsim e kulturë, apo ndonjë fushë të caktuar. Këtë bashkëpunim e shoh në dritën e asaj që na bashkon përtej relacioneve të dy shteteve, dy parlamenteve apo qeverive”, tha ai.
Lladrovci theksoi se bashkëpunimi duhet të jetë aq intensiv sa që “vetëm formalitetet administrative të jenë shenjë ndarëse”, duke përmendur heqjen e barrierave doganore dhe administrative si një hap thelbësor.
“Bashkëpunimi duhet të jetë aq intensiv sa vetëm formalitetet administrative të jenë shenjë ndarëse. Nga angazhimi në pushtetin lokal, nuk jam thelluar në këto raporte, por, po shihet se janë aq të vakëta, sikur të ishte Shqipëria përtej Greqisë”, thotë Lladrovci.
Sipas tij, bashkëpunimi duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë të dokumentacionit, lëvizjen e lirë të kapitalit dhe mallrave, duke i dhënë prioritet zhvillimit të sistemeve të mbrojtjes dhe diplomacisë në përputhje me interesat kombëtare.
“Mund të bëhet më shumë. Shqipëria është përtej konceptit të interesit pushtetar dhe raporteve tregtare. Heqja e Doganës dhe ngarkesave administrative, njohja e ndërsjellë e dokumentacionit të të gjitha natyrave, prania e kapitalit, mallrave dhe të mirave tjera, pa limite dhe pa asnjë pengesë, të çfarëdo natyre. Akademitë dhe institutet tona të kenë bazën e vlerave të përbashkëta, me aleanca të përbashkëta dhe brenda sistemit të njëjtë të mbrojtjes, diplomacisë dhe interesit nacional”.
Lladrovci u shpreh se përtej bashkëpunimit ekonomik dhe politik, është koha që të dy shtetet të përballen me sfidat më të mëdha globale, siç janë energjia, siguria dhe migracioni.
“Inati e vret njeriun e le ma interesin nacional apo shtetin. Urtësia duhet të jetë thelbi i krerëve tanë për marrëdhëniet tona. Neglizhenca aktuale, siç e shoh unë, ka të bëj më shumë me egon, inferioritetin dhe ndjenjën e vlerës më të vogël. Energjinë, siguria dhe perspektiva për të frenuar migracionin, janë kapituj jetik që mendjet më të ndritura të kombit do të duhej ta kishin preokupim, natyrisht, edhe prioritete politike të qeverive tona”, shprehet ai.
Në përfundim, Lladrovci apeloi për një qasje më të mençur dhe për një gjeneratë të re që duhet të kuptojë rëndësinë e bashkëpunimit për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme.
“Si duket, duhet të vije një gjeneratë tjetër shumë më e mençur që duhet t’i zbulojë përparësitë e çështjeve të përbashkëta jetike për kombin”, përfundoi Lladrovci.