Prishtina e ka shënuar një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme përballë Feronikelit në kuadër të javës së 34-t në Superligën e Kosovës.
Dy xhiro para përfundimit të kampionatit, kryeqytetasit janë vetëm një pikë larg titullit kampion në Kosovë, shkruan FrontOnline.
Pas ndeshjes së sotme, trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani u shpreh i kënaqur me fitoren e sotme ndaj Feronikelit.
“U zhvillua një derbi i vërtetë dhe me shumë emocion. E nisëm mirë, shënuam gol dhe kishim posedimin e topit dhe lojën në kontroll. Por, një gabim që mendoj se u ndodhë edhe portierëve me emër të madh, mirëpo ajo që më gëzoi ishte shpirti luftarak i lojtarëve”, deklaroi Ramadani në “Art Sport”.
“Treguan se mund t’i ndalin në ndihmë shokut të ekipit. Pastaj, e shënuam golin e dytë, por pastaj kishim një penallti kundër nesh. Fati dhe Zoti i ndihmon ata që kanë guxim. Ishte një ndeshje me luftë të madhe nga të dyja skuadrat, por këtu ku jemi, jemi me shumë meritë”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, trajneri i Feronikelit, Faruk Elshani, ka deklaruar pas ndeshjes se nuk ishte e shkruar që të dalin me një pikë nga kryeqyteti.
“E kemi ditur që është ndeshje vështirë, ndoshta më e vështira për ne deri me tani. Rivaliteti ynë me Prishtinën është i madh dhe çdoherë është derbi sa herë që të takohemi. Kemi mundur të dalim me një pikë, por nuk paska qenë e shkruar. Vazhdojmë”, tha Elshani./FrontOnline/