Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zbuluar se një herë ka ngrënë një darkë me kandidatin e VV’së për kryeministër, Albin Kurtin. Rama sqaroi se kjo është darka e vetme që ka ngrënë me një opozitar.
Rama tha se ka kaluar mirë me Kurtin gjatë darkës.
“Hëngra drekë me Albinin, hëngra drekë me opozitën. Kalova shumë mirë. Nuk dua ta diskutoj më shumë këtë gjë. Meqenëse me Bashën nuk kam drekuar kurrë, së paku drekova me një opozitar”, tha Rama në Neës24.
Tutje, kryeministri i Shqipërisë foli edhe për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, ku sipas tij sondazhet e nxjerrin fituese PS’në.
“Unë di të them kaq, ne kemi objektivat. Ne kemi strategjinë, skuadrën edhe programin që do të realizojmë në 4 vitet e ardhshme. Objektivat që kemi janë të shpallura. Sondazhet na tregojnë fitues, në avantazh, Na tregojnë më në avantazh se sa ishim ne 2017-n. Deri tani jemi 0-0. Rezultati është kur të gjitha votat janë në kuti”.
Rama synon që në zgjedhjet e ardhshme të marrë 74 mandate në Kuvend.
“Ne do të fitojmë zgjedhjet dhe do të konfirmojmë minimalisht 74 mandate. Minimalisht. Zgjedhjet e lira i kemi pasur dhe do të vazhdojmë t’i kemi. Pse në 2017-ën zgjedhjet i fitoi Luli?!”, shtoi Rama.