Në prag të ndërrimit të viteve, kryeministri Edi Rama, nga selia e qeverisë, ka uruar të gjithë shqiptarët kudo që janë për Vitin e Ri 2025.
Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se uron shqiptarët që viti 2025 të jetë një vit i ri në ngjitje, “me shëndetin top dhe me mbarësi në familjet tuaja”.
“Ka një vit të tërë për t’u ngjitur dhe çdo vit e ka një ditë të vetme për të zbritur. Këtë vit e kemi ngjitur Shqipërinë më lart se ndonjëherë, po në vitin që po troket dhe në disa vite pas tij, do ta ngjisim në majën, ku do të qëndrojë edhe kur të gjithë ne të mos jemi më, aty ku gjendet shtëpia e madhe e Familjes së Bashkuar Evropiane. Por sot, për ne kalimtarët në këtë botë, është ajo dita e vetme për të zbritur dhe për të qëndruar me familjet tona, duke pritur Vitin e Ri. Prandaj edhe unë sonte nuk do të bëj më shumë sesa t’ju uroj të gjithëve një Vit të Ri në ngjitje, me shëndetin top, me mbarësi e gëzime në familjet tuaja. Gëzuar!”, ishte mesazhi i kreut të qeverisë./Rtsh