Një qytetar nga Prishtina po pretendon se rrjeti i marketeve “ETC”, pronë e biznesmenit Ramiz Kelmendi, po i mashtron konsumatorët me çmimet e artikujve ushqimorë. Madje, sipas tij, një vjedhje e tillë e konsumatorëve po ndodhë në muajin e Ramazanit.
“ Sot në marketin ETC në Fushë-Kosovë kam blerë një kilogram kofshë pule, çmimi i së cilave në frigorifer figuronte 2.59 euro për kilogram, ndërsa tek arka kam paguar 3.29 euro kilogramin. Pasi e kam paguar faturën e kam vërejtur mashtrimin dhe jam ankuar”, thotë ky qytetar nga Prishtina, i cili nuk preferon të flas me emër, por që prezanton faturën e paguar sot në orën 12:49 dhe çmimin e kofshëve të pulës në frigorifer, raporton portali “Front Online”.
Ai madje thotë se këtë rast të mashtrimit do ta paraqes edhe tek Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve pranë Ministrisë së Tregtisë së Industrisë, pasi që, sipas tij, vjedhjet e tilla të konsumatorëve janë bërë të zakonshme tek marketet e caktuara.
Portali Front Online nuk ka arritur ta marrë një arsyetim nga ETC në lidhje me pretendimet e tilla të konsumatorit. /Front Online/