Një qytetar është ankuar se policët serbë në veri të Mitrovicës po i dënojnë vetëm shqiptarët për mosmbajtjen e maskave.
Ai ka dërguar edhe një video, duke treguar se policia serbe e ka dënuar për mosmbajtje të maskës, ndonëse në automjet ka qenë me një familjare.
Rasti ka ndodhur në Zveçan, tek vendi i quajtur Dudin Krsh, derisa ky qytetar thotë se ka qenë duke vozitur një kamion.
Në video ai dëgjohet duke argumentuar me policët duke ju thënë se në automjet ishte me familjarë dhe se nuk ka shkelur ndonjë rregull.
Por pavarësisht kësaj, polici i shkruan dënimin, derisa një tjetër i afrohet duke i thënë të mos incizojë, shkruan Reporteri.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës dje ka miratuar masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Këto masa pritet të hyjnë në fuqi që nga dita e nesërme.