Ministri i Mbrojtës Anton Quni, në emisionin Pressing të T7, ka treguar për raportet e tij me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin. Quni thotë se raportet e tyre janë tepër miqësore dhe në nivel, por nuk do të pranonte asnjë ofertë për karrierë politike jashtë LDK-së, shkruan Front Online.
“Raportet e mia miqësore janë shumë në nivel me zonjën Vjosa Osmani”, është shprehur Quni.
Tutje, ai tregoi historikun e tij me Osmanin.
“Me Osmanin njihemi që në kohën kur punonim bashkë në kabinetin e Sejdiut. Që atëherë kam ndërtuar një respekt për zonjën Osmani”, ka thënë Quni.
Megjithatë ai ka thënë se pavarësisht respektit për Osmanin, nuk do ta lë LDK’në për asnjë iniciativë tjetër të kryekuvendares.
“Kjo nuk do të thotë që respekti im shkon aq larg, sa që unë të shkojë pas saj, nëse ajo mendon të krijojë ndonjë iniciativë jashtë LDK’së”, ka thënë Quni.
Ai saktësoi pozitën e tij politike edhe për të ardhmën e karrierës së tij.
“Karriera ime politike fillon dhe mbaron në LDK”, thotë Quni.
“Edhe po të mbetem jashtë skenës politike, unë nuk do të pranojë çfarëdo oferte jashtë LDK’së”, shtoi Quni.