Qendra për Numërim dhe Rezultate i ka rekomanduar KQZ-së, rinumërimin e 500 vendvotimeve. Për këtë propozim KQZ-ja do të vendosë në mbledhjen e orës 13:00 të hënën.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor për raportin që do ta paraqesë Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime.
“Mund t’iu konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor”, ka thënë Elezi për Front Online.
QNR-ja ka nxjerr këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur ta kalonin procesin e auditimit.
“QNR-ja ka ardhur deri te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit. Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve; si dhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, ka thënë tutje ai për Front Online.