Luftës civile të rindezur në Siri, përveç Rusisë i bashkohen edhe qindra luftëtarë nga Iraku. Të paktën 300 luftëtarë të mbështetur nga Irani, kaluan kufirin drejt Sirisë të hënën për të ndihmuar qeverinë të luftojë grupet rebele që pushtuan pjesën më të madhe të Alepos javën e kaluar.
Grupi i milicive të armatosura rajonale të financuara nga Irani, të ndihmuara nga fuqia ajrore ruse, kanë qenë pjesë integrale e suksesit të forcave pro qeveritare në Siri, në shtypjen e rebelimit të forcave opozitare që u ngritën kundër Assadit në 2011. Por aleanca përballet me një test të ri pas avancimit të rebelëve në veriperëndim të Sirisë, teksa Rusia po zhvillon një luftë në Ukrainë dhe lidershipi i Hezbollahut është dobësuar nga lufta me Izraelin.
Teherani fajësoi SHBA-në dhe Izraelin për konfliktin në Siri dhe u zotua të vazhdojë mbështetjen për Asadin.
“Prania e SHBA në Siri është një akt agresioni dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar. Është e qartë se një prej arsyeve që terrorizmi ka zënë rrënjë në Siri gjatë viteve të fundit lidhet me stacionimin e forcave amerikane atje”, tha Esmaeil Baghaei, zëdhënës i ministrisë së jashtme.
Ndërkohë, Hezbollahu që është edhe forca me kapacitetet më të mëdha e mbështetur nga Irani, e që ka qenë kyçe në luftimet pro Asadit në Siri, duket se nuk do të dërgojë trupa për të ndalur ofensivën e re të rebelëve.
Burime të cituara nga Reuters pretendojnë se milicia nuk është gati të ndërmarrë një hap të tillë pas konfliktit shkatërrues me Izraelin. Siç bëri të ditur qeveria në Damask, forcat ajrore siriane dhe ruse sulmuan pozicione rebele në lindje të Alepos, ku siç raporton gjatë ditëve të fundit janë vrarë qindra luftëtarë rebelë. Burime të forcave opozitare ndërkohë, pretendojnë se janë vrarë dhjetëra civilë përfshirë fëmijë./A2cnn