×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeverinë Kurti 3? Aktualisht s’ka ndonjë përpjekje për formimin e saj

    FrontOnline
    25 Mars 2025

    Zgjedhjet e 9 shkurtit e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje fituese me 42.30 % të votave të fituara. Fitorja nuk i solli shumë entuziazëm partisë në pushtet meqë objektivin e kishin shumë më të lartë para se t’i hynin garës – 500 mijë vota. Meqë këto s’i mori, për Vetëvendosjen, që ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të sivjetme, do të jetë problematike krijimi i Qeverisë e vetme. Megjithatë, kjo parti po e promovon Qeverinë Kurti III.

    “Qeveria Kurti III po vjen”, thuhet në fund të një klipi që ka publikuar sot Lëvizje Vetëvendosje ku përmblodhi “suksese të rëndësishme” që ndodhën gjatë Qeverisë Kurti II si qeveria e parë në Kosovë që përmbushi një mandat të plotë katërvjeçar.

    “Zgjedhjet e 9 shkurtit e dëshmuan punën tonë të mirë në këtë mandat. Ne presim shumë punë të mira në mandatin që kemi përpara. Po jetojmë në rrethana të vështira globale, vetëm me një qeverisje të mirë do të triumfojmë. Qeveria Kurti III po vjen”, tha Vetëvendosje në këtë video.

    Deklarata e tillë vjen në kohën kur po pritet të ndodhë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit – një procesi që u kritikua si i stërvonuar.

    Aktualisht, Gjykata Supreme është duke shqyrtuar dy ankesa, një nga Lëvizja Vetëvendosje kundër LDK-së dhe një tjetër nga koalicioni PDAK-LPB kundër Partisë së Ashkalinjve për Integrim.

    Të dyja këto ankesa i ka hedhur poshtë paraprakisht Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Supremja ka kohë deri nesër, sipas afatit, që të marrë vendime mbi këto ankesa dhe nëse këto hidhen poshtë do t’i hapet rruga certifikimit të rezultateve.

    Pas këtij procesi, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë nën presion të afateve kushtetuese për themelimin e qeverisë së re si partia e parë e dalë nga zgjedhjet.

    Derisa asgjë s’ka zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje rreth ndonjë koalicioni të mundshëm, partitë opozitare kanë zhvilluar tashmë takime që në rast se partia e Albin Kurtit dështon të krijojë qeverinë, qeveria e re do të mund të jetë e opozitës në rast se edhe ata merren vesh.

    Deri tash tri partitë opozitare shqiptare, PDK, LDK dhe AAK, janë shprehur zëshëm se nuk do të bëjnë koalicion me Vetëvendosjen. Megjithatë, Nisma e Fatmir Limajt, që garoi në zgjedhje si pjesë e koalicionit me AAK-në, pas rezultateve preliminare kishte shprehur një lloj gatishmërie për të bashkëpunuar me partinë fituese.

    Shpallja e rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasoi një takim mes dy kandidatëve për kryeministër, Bedri Hamzës së PDK-së me Lumir Abdixhikun e LDK-së.

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e konfirmoi këtë, ndërsa tha se kanë pasë takim edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

    LDK-ja “asnjëherë nuk ka biseduar me LVV-në këto javët e fundit”, tha Haziri të mërkurën në mbrëmje, në një intervistë në emisionin “Clicl” në RTV 21.

    “Ka iniciativë me partitë politike të tjera që vijnë nga opozita. Ajo iniciativë ka shkaktuar takime, me Hamzën, Memli Krasniqin, Ramush Haradinajn”, deklaroi ai.

    Haziri tha se qëndrimi i LDK-së mbetet “i qartë”.

    PDK-ja ka thënë se do ta presë radhën, duke theksuar se LVV-ja e ka e para të drejtën që të përpiqet ta formojë Qeverinë.

    Hamza ka thënë më 10 mars në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova se me partitë tjera opozitare “mund të harmonizohen programet”, ndërsa vinte në dukje dallimet e partisë së tij me LVV-në, me të cilën tha se “nuk shohim bashkëpunim”.

    “Shumë më e mundshme – edhe për shkak të programeve, edhe për shkak të numrave – është që opozita me e formu Qeverinë sesa ta krijojë atë Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ai./Express/

    Nga Rubrika
    Lajme26 Mars 2025
    Kosova është tronditur nga katër vrasjet që kanë ndodhur në ditët e fundit, duke shkaktuar shqetësim të madh në shoqëri. Sociologia Makfire...
    Lajme26 Mars 2025
    Ish-zv.ministri i Brendshëm, Valdet Hoxha, për “Front Online” ka shprehur shqetësim mbi rritjen e numrit të vrasjeve në Kosovë. Hosha thotë se...
    Kronika26 Mars 2025
    Në tri ditët e fundit, Kosova nuk gjeti qetësi. Katër persona kanë vdekur në tri raste të ndara si pasojë e të...
    Të tjera
    Lajme26 Mars 2025
    Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, e quajti “të pabesueshme” mënyrën se si kryeministri Albin Kurti komunikon me diplomatë ndërkombëtarë, pas mashtrimit...
    Lajme26 Mars 2025
    Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Demush Shasha, ka reaguar në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kenias, duke deklaruar...
    Lajme26 Mars 2025
    Një bisedë e kryeministrit Kurti me dy komedianë rusë, ka nisur të shkaktojë reagime të mëdha. Kurti ra pre e një shakaje...
    Bota/Rajoni26 Mars 2025
    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte theksoi të mërkurën se aleanca ushtarake transatlantike do t’i përgjigjet një sulmi me “forcë të...
    Lajme26 Mars 2025
    Dy komedianët rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur me pseudonimet Vovan dhe Lexus, së fundi kanë mashtruar edhe kryeministrin e...
    Lajme26 Mars 2025
    Gjykata Supreme e Kosovës, instanca më e lartë e gjyqsorit ka refuzuar të gjitha ankesat e Vetëvendosjes ndaj PZAP-së, për rezultatet përfundimtare...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.