Kryeministri Albin Kurti, dy ditë para se të fitonte zgjedhjet e 14 shkurtit, ishte zotuar për kthimin e reciprocitet me Serbinë.
E pas marrjes së detyrës së re, Qeveria e Albin Kurtit, po paralajmëron serish se së shpejti do t’i kthejë në fuqi masat e reciprocitetit me shtetin serb.
Kështu ka bërë të ditur për Front Online zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu.
Ai për FrontOnline, tha se do të ketë masa reciprocitetit me secilin shtet, duke përfshirë edhe Serbinë, në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme të cilat shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara
“Me 31 Mars 2020, pra një muaj e gjysmë apo 57 ditë pas zgjedhjes e pas pranimit të detyrës së kryeministrit në mandatin e parë, në mbledhjen e qeverisë kemi marrë vendimin 01/20 “Për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë”. Sot jemi në ditën e 21 të qeverisjes në mandatin e dytë. Reciprociteti është e drejtë që buron nga barazia dhe sovraniteti, pra të qenit i pavarur, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga sjellja arbitrare apo shkelja e të drejtave dhe dinjitetit nga ana e shteteve tjera. Është obligim i qeverisë dhe kryeministrit Kurtit që të mbrojë qytetarët e republikës dhe interesat e shtetit të Kosovës. Andaj edhe do të ketë masa reciprocitetit me secilin shtet, duke përfshirë edhe Serbinë, në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme të cilat shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara”, tha Kryeziu për Front Online.