×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria nis përgatitjet që Serbia të akuzohet për krime lufte

    Arbnor Buzhala
    25 Qershor 2024

    Në mars të këtij viti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se autoritetet po përgatiten që Serbia të akuzohet, për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Kurti i kërkoi Prokurorisë së Shtetit që të punojë maksimalisht që personat përgjegjës për krime gjatë luftës, për të cilët ka dëshmitarë të gjallë, të ndiqen penalisht dhe të dënohen.

    “Edhe Ministria e Drejtësisë edhe këshilltarët e mi ligjorë, edhe me ekspertët ndërkombëtarë, janë duke bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime luftime, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”, ishte deklarata e Kurti  gjatë homazheve në Drenas, duke shtuar se ky proces po vazhdon dhe kur të ketë diçka konkrete publiku do të njoftohet me kohë.

    Në Kosovë, thonë se përgatitja për padi duhet të ketë prova, që dëshmojnë se forcat serbe kanë kryer gjenocid dhe se duhet pasur kujdes në përpilimin e saj, që të mos veprohet ngutshëm dhe se të mos bëhen gabime gjatë përpilimit të saj, sepse një gjë e tillë, nëse refuzohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë apo në Gjykatën Penale Ndërkombëtare nuk mund të përsëritet.

    Por, përveç saj, qëndron edhe një problem tjetër për këtë çështje. Për tu bërë një padi ndaj një vendi tjetër për gjenocid, ai vend duhet të jetë anëtare e OKB-së, në këtë rast Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, atëherë duhet një shtet tjetër që është anëtare e kësaj organizate të ngre padinë e Kosovës ndaj Serbisë, në këtë rast këtë mund ta bëjë Shqipëria.

    Se Kosova është në fazën e përgatitjes të një padie te tillë janë në dijeni edhe deputetët.

    Balje: Jam njoftuar nga Qeveria se janë në fazën e përgatitjes për padi për gjenocid ndajë Serbisë

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, njëherit kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, për FrontOnline, thotë se kanë biseduar me Qeverinë e Kosovës sa i përket padisë për gjenocid ndaj Serbisë dhe se nga ta janë njoftuar se janë në fazën e përgatitjes për ta bërë këtë.

    ‘’Ne kemi biseduar për këtë me Qeverinë dhe komisioni është njoftuar se janë në fazën e përgatitjes sepse kanë procedura shumë komplekse për me dorëzua. Herën e fundit kur kemi biseduar me Qeverinë, kanë thënë se jemi duke menduar për këtë, jemi në fazën e përgatitjes, por nuk e di ku ka mbërri puna deri tani’’ thotë deputetja Balje.

    Ajo thotë se për këtë gjë përgjegjëse është Qeveria dhe kjo është punë e saj.

    ‘’Për këtë duhet me biseduar me Qeverinë. Ne se bëjmë atë e bën Qeveria. Ne jemi deputetë, nuk jemi ekzekutiv, këtu ka përgjegjësi vetëm Qeveria dhe nuk kam shumë informata për këtë’’ shprehet ajo.

    Deputetja Balje, thekson se nuk duhet vrapuar me nxitim për të bërë padi për gjenocid ndaj Serbisë, pasi që sipas saj, nëse një padi e tillë refuzohet për shkak të mos përpilimit të mirë, humbet mundësia për të bërë prap padi.

    ‘’Për mua personalisht nuk e mendoj se duhet vrapuar me këtë, sepse nëse e dorëzojmë njëherë këtë padi, por nëse e merr si refuzim padinë, nuk ke drejtë më pas me bërë padi tjetër, duhet ditur me vepruar’’ deklaron Balje për FrontOnline.

    Balje, thotë se nuk e di nëse në këtë mandat qeverisës mund të iniciohet padia për gjenocid ndaj Serbisë, por se shprehet e bindur se Kosova do ta bëjë këtë.

    ‘’Këtë mandat nuk e di a është gati Qeveria me bërë, por jam e sigurt se do të vije koha kur Kosova do ta bëjë këtë’’ tha Duda Balje.

    Derisa nga opozita thonë se kjo po bëhet për qëllime elektorale dhe nuk janë në dijeni se kanë nis përgatitjet.

    Deputetja e PDK-së: As që është diskutuar padia për gjenocid ndaj Serbisë në komision, Qeveria po e përdorë për çështje elektroale

    Deputetja e PDK-së, Ariana Shoshi-Musliu, po ashtu anëtare  e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, thotë për FrontOnline se tema për gjenocidin e Kosovës ndaj Serbisë, nuk është diskutuar në komisionin ku ajo është anëtare.

    ‘’Këtë temë nuk e kemi trajtuar në komision’’ shprehet deputetja e PDK-së.

    Musliu-Shoshi, padinë e Kosovës për gjenocid ndaj Serbisë e cilëson si temë jashtëzakonisht të rëndësishme për të shpërfaqur krimin e Serbisë në Kosovë.

    ‘’Temë jashtëzakonisht e rëndësishme për të shpërfaqur të vërtetën e krimit të Serbisë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare në Kosovë’’ thekson ajo.

    Deputetja e PDK-së, thotë se edhe kjo temë për Qeverinë Kurti është vetëm çështje elektorale dhe nuk ka bërë asnjë hap konkret.

    ‘’Edhe kjo temë për Qeverinë Kurti është vetëm elektorale dhe nuk ka pasur hapa konkret’’ tha Musliu-Shoshi për FrontOnline.

    Njohësit e ҫështjeve juridike shprehen skeptikë nëse Kosova mund ta bëjë një gjë të tillë.

    Salihu: Kosova nuk mund të bëjë Padi për Gjenocid ndaj Serbisë

    Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, për FrontOnline, shprehet skeptik se mund të ndodhë një padi ndaj Serbisë për gjenocid nga ana e Kosovës, duke treguar rrugën që duhet ndjekur për përpilimin e padisë.

    ”Pak ka gjasa ose fare të ndodhë. Për me ngritë aktakuzë, duhet një ekip i ekspertëve kulminant të Kosovës, bashkë me hetues në terren, për dy-tri vitet e ardhshme me i mbledhë, me i faktuar, me i sistemu ato të dhëna dhe më pas me ngritë padi’’ thotë ai.

    Profesori Salihu, po ashtu deklaron se Kosova nuk mundet me bërë padi për gjenocid ndaj Serbisë, sepse nuk është anëtare e OKB-së dhe se për kët duhet bëjë në vend tjetër për Kosovën.

    ‘’Padi Kosova nuk mundet me ngritë sepse ende nuk është anëtare e OKB-së, por në emër të Kosovës, mundet me ngritë Shqipëria ose ndonjë vend tjetër, por duhet punohet shumë. Deri tash nuk kam pasur ndonjë sugjerim nga Qeveria. Kam punuar për 6-7 vite në Institutin për Krime të Luftës’’ thekson ai.

    Njohësi i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, thotë se çështja e padisë për gjenocid ndaj Serbisë ishte dashur të merrej me urgjencë.

    ‘’Kjo partia në pushtetet e ka pasur premtim ri-hapjen e institutit për krime të luftës dhe ai institut është hap, ngadalë po shkon puna, kjo punë ka mundur të kryhet për tre muaj e gjysmë, tash e kanë bërë ligjin, e kanë bërë një drejtor, vitet po shkojnë, dhe kjo punë është dashur të merret me urgjencë. Në vend se të suportohet dhe zgjerohet ai institut, ai u mbyllë’’ thotë profesori Salihu.

    Salihu, thotë nëse vazhdohet me ketë tempo as edhe për 30 vite nuk mund të bëhet gati padia për gjenocid.

    ‘’Në drejtësinë tranzitcionale, për krime të luftës, është dashur të punojnë tre vetë, për krimet tjera është dashur të punojnë tre të tjerë, e me 3 vet edhe për 30 vite nuk mundet me u kry ajo punë. Pasi të mblidhen faktet, duhet të ngritët akuza për krime të luftës, veçenarisht për gjenocid’’ tha ai për FrontOnline.

     

    Avokati Qerkini: Padia ndaj Serbisë ka me qenë një betejë jashtëzakonisht e madhe

    Avokati Artan Qerkini, për FrontOnline, thotë se për të përpiluar një padi për gjenocid duhet ndjekur hapat procedural dhe të mblidhen argumente që dëshmojnë gjenocidin.

    ‘’Hapat që duhet ndjekur për padi janë të karakterit procedural dhe normal se duhet argumente të cilat e dëshmojnë do të thotë gjenocidin’’ thotë ai.

    Avokati Qerkini thotë se do të jetë betejë e madhe kjo çështje pasi që Kosova nuk është pjesë e OKB-së

    ‘’Ka me qenë një betejë jashtëzakonisht e madhe sepse Kosova nuk është pjesë e OKB-së dhe duhet shikuar praktikat e GJND-së se si ka vepruar në rastet kur kërkesat janë parashtruar nga subjektet që nuk janë pjesë e OKB-së sepse ajo gjykatë është e OKB-së’’ shprehet ai.

    Qerkini, për FrontOnline thotë se padia për gjenocid nuk mund të parashkruhet, por mundet me u paraqitë në çdo kohë.

    ‘’Padia për gjenocid nuk parashkruhet, mundet me u paraqitë në çdo kohë. Gjykata nuk i shqyrton dy herë çështjet e njëjta’’ thekson ai.

    Avokati Qerkini, ka treguar se çka ndodhë në rast se një padi e tillë mund të refuzohet.

    ‘’Nëse hidhet padia për shkak se Kosova nuk është anëtare e OKB-së, ajo mund të bëhet prap, por nëse gjykata e pranon ta shqyrtojë padinë e Kosovës dhe nëse vendos në mënyrë tjetër, atëherë nuk mund të paraqitet padi të re’’ shprehet ai.

    Mahmuti për padinë e Kosovës ndaj Serbisë: S’ka diçka të re

    Nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, për FrontOnline, thonë se kanë pasur takim me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiun, dhe deputeten Saranda Bogujevci për këtë çështje.

    ‘’Jemi takuar edhe me kryeministrin edhe me ministren Haxhiu dhe të gjitha i kemi bërë publike’’ thonë ata.

    Bardhyl Mahmuti, nga kjo qendër thotë se deri më tani nuk ka diçka të re për çështjen e padisë së gjenocidit ndaj Serbisë.

    ‘’Nëse përsëri prononcohen ata, ne do të flasim prap për këtë temë. Tashmë nuk është e logjikshme të i përserisim gjërat, nuk kam çka të them të re diçka’’ tha shkurt Mahmuti për FrontOnline.

    Ndryshe, në nëntor të 2023-së, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi i parë në mungesë për krime lufte.

    Deri më tani janë ngritur dhjetëra raste ndajë serbëve që kanë kryer krime lufte ne Kosovë.

    Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, mbi 400 masakra ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë/FrontOnline/

     

     

    BAD NEWS EAGLE BËJNË HISTORI NË LIGËN E LEGJENDAVE DHE DY FINALE FANTASTIKE BASKETBOLLISTIKE TREPÇA – PEJA
    Nga Rubrika
    Lajme28 Qershor 2024
    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se kishin llogaritur në kryeministrin Kurti meqë kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këto takime....
    Lajme28 Qershor 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar se kremtimi i Vidovdanit në Gazimestan ka kaluar pa incidente, përveç shoqërimit të një personi për intervistim,...
    Lajme28 Qershor 2024
    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave njofton se është zgjatur afati për aplikim për subvencione për vitin 2024. Nga ministria...
    Të tjera
    Lajme28 Qershor 2024
    Ndalimi i festivalit “Mirëdita, Dobar dan” në Serbi me urdhër të ish-zëdhënësit të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, aktualisht Zëvendëskryeministër dhe Ministër i...
    Lajme28 Qershor 2024
    “Ish-Ambullanta e vjetër – Shtëpia e Xhafer Devës” është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, si monument i arkitekturës së...
    Lajme28 Qershor 2024
    “Trafiku Urban” është shprehur i tronditur me aksidentin që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Keqekollë të Prishtinës, ku një...
    Lajme28 Qershor 2024
    Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) me një ceremoni të përbashkët kanë përfunduar tri kurse specialistike. Kursi i Avancuar për Lider,...
    Sport28 Qershor 2024
    Reprezentuesi i Zvicrës, Michel Aebischer është i vetëdijshëm se dueli me Italinë, do të jetë ndeshje e vështirë, pori ai beson se...
    Lajme28 Qershor 2024
    Në Shërbimin e Logopedisë, i cili vepron në kuadër të Klinikës së Otorinolaringologjisë, të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, brenda muajit...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.