Qëndresa Krelani, gazetare e sportit në Kosovë, ka thënë të dielën se futbolli i Kosovës ka dalë jashtë kontrollit. Javëve të fundit u bë bujë e madhe për dyshime në kurdisje të lojës.
“Ka ardhur koha të mendojmë seriozisht se situata ka dalë jashtë kontrollit. Ne si gazetarë nuk e kemi për detyrë të marrim pjesë por edhe të përfshihemi. Javën e kaluar erdha në këtë studio me logjikën time që Prishtina do ta mposht Dritën. A kam fakte? Jo nuk kam fakte, por bazohem në opinion publik. Fakte nuk kam fatkeqësisht. Si është e mundur që një Prishtinë me një hov të madh, me 17 ndeshje pa humbje në Superligë. Unë thash se më në fund po e shohim një skuadër që bën lojë artistike dhe dhuron sinjale se më në fund do të kemi një kampion me faqe të bardhë. Kur e shoh paraqitjen e Prishtinës në Kupën e Kosovës, zhgënjehem shumë. Zhgënjehem për deklaratën e trajnerit që thotë se neve na intereson kampionati e jo kupa. Në momentin kur bën deklarata të tilla, menjëherë hap territor që të dyshojmë”, ka thënë fillimisht Krelani në emisionin “Sportin Total”.
“Si është e mundur që një skuadër të jetë e frikshme në Superligë, nuk mund ta mposht Llapin. Ngjarja në Superligë nuk përputhet me paraqitjen në Kupë. Të më tregoj mua dikush si është e mundur që një skuadër që është në vendin e tretë, është mysafire, shkon në shtëpinë e kampiones, dhe e ka kuotën aq të ulët, ndërsa ka kuotën 4.48. Futem në kampionatin spanjoll, shoh Villarrealin e ka kuotën sa e kishte Drita. Villarreali është në vendin e pestë apo gjashtë, sepse është përballë Barcelonës. Janë sinjale që duhet të dërgohen. Ne po flasim për proces”, përfundoi Qeqa. Ajo e tregoi më pas një rast se si një futbollist në Korenë e Jugut është shpallur fajtor për përfshirje në kurdisje të lojëve, dhe është përjashtuar nga FIFA përjetësisht.