Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Beogradit, në procesin ndaj Aleksander Vulinit, ku ka vendosur se shprehja “shiptari” nuk është shprehje raciste as nënçmuese ndaj shqiptarëve.
“Kështu, emërtimet e ish-Jugosllavisë po bëhen formë shprehjeje të Serbisë së Vuçiqit. “Shiptari” i quante shovinizmi serb shqiptarët e Kosovës; “shiptari” ishte pezhorativi diferencues për kosovarët si ndryshe dhe të tjerë nga “albanci”, që ishin ata nga Republika e Shqipërisë”, ka shkruar Kastrati.
Ai ka thënë se emërtimet e tilla tregojnë ideologjinë supremaciste që ishte mbjellur atëherë, e po vazhdon edhe sot.
“Ndaj kësaj marrëdhënie nuk ka zgjidhje të pjesshme; nuk ka zgjidhje përmes mirëqenies as përmirësimit. Nuk mund të flasim për gradë të inferioritetit. E vetmja rrugë, e vetmja mënyrë është barazia”, ka shkruar tutje Kastrati.