Të hënën, Rusia ka konfirmuar se një helikopter ushtarak është qëlluar pranë kufirit me Azerbajxhanin, ku kanë humbur jetën dy ushtarë.
Azerbajxhani ka pranuar autorësinë për incidentin dhe i ka kërkuar zyrtarisht falje Rusisë.
Ministria e Mbrojtjes tha se helikopteri po shoqëronte një trupë ushtarake por pa sqaruar qëllimin e tyre. Rusia ka një bazë ushtarake mjaft të madhe në Armeni, por ajo ndodhet rreth 150 kilometra larg vendit ku është qëlluar helikopteri.
Rusia ka një aleancë ushtarake me Armeninë, ku nuk përfshihet rajoni i Nagorno-Karabakh, por gjithashtu ka marrëdhënie të ngushta me Azerbajxhanin.
Disa mijëra persona mendohet se kanë humbur jetën prej luftimeve që nisën më 27 shtator.
Dy ish-shtetet sovjetike kanë luftuar një luftë të përgjakshme në zonën malore të Nagorno-Karabakh në fillim të viteve 1990, me mijëra viktima nga të dy shtetet e qindra mijëra të zhvendosur.
Luftës i erdhi fundi me një armëpushim në 1994 por me raste dhune sporadike pasi konflikti nuk gjeti kurrë zgjidhje reale.