Barazia gjinore edhe sot mbetet ndër problemet sociale më të përhapura anembanë botës, gjë që rrjedhimisht shkakton jostabilitet shoqëror.
Në shoqërinë tonë ky fenomen buron nga e kaluara, kur mashkulli kishte të drejta autoritare, dhe kur e drejta zakonore trajtonte rolin e gruas më shumë si nevojë për riprodhim biologjik, shërbim dhe edukimin e fëmijëve.
Sfida e barazisë gjinore, shfaqet hapur edhe në sferën publike si një ndër problemet më kritike në një shtet në tranzicion siç është Kosova.
Ndonëse viteve të fundit po bëhet përpjekje e vazhdueshme për barazi gjinore, hulumtime dhe analiza të ndryshme të bëra në Kosovë flasin për mospjesëmarrje të barabartë në tregun e punës në mes të femrave dhe meshkujve.
Megjithatë në Republikën e Kosovës ekziston ligji për barazi gjinore, i cili specifikon përfaqësimin e barabartë gjinor në të gjitha institucionet, dhe si të tilla gratë në Kosovë duhet të përfaqësojnë 50% të fuqisë punëtore në institucione publike. (Neni 6.8 i Ligjit Nr.05/L-020 për Barazinë Gjinore)
Si qëndron situata në Ferizaj?
I avancuar dhe përmirësuar thonë zyrtarët në pushtet se është roli dhe pozita e gruas në komunën e Ferizajt.
Duke marrë parasysh se pozitën e udhëheqësit të Kuvendit Komunal e ka për herë të parë një grua, nga këta të fundit konsiderohet arritje ky trajtim i institucioneve ndaj gruas.
Këtë e konfirmoi edhe vet Kryesuesja e Kuvendit Kristina Gashi-Bytyçi, e cila vë në pah histori suksesi të një gruaje që punon në pozitë udhëheqëse.
“Të jesh gruaja e parë udhëheqëse e Kuvendit të komunës së Ferizajt do të thotë të punosh shumë, me nder e përgjegjësi për t’ju mundësuar shumë grave e vajzave të reja që nesër të kenë ambicie dhe të jenë më të përkrahura nga qytetarët për të qenë udhëheqëse dhe menagjere të barabarta me burrat”, tha Gashi-Bytyçi.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, është njëri ndër ligjet që nxitë dhe siguron përfaqësimin gjinor në institucionet publike në Kosovë, duke përcaktuar kuotën prej 30 përqind për përfaqësim gjinor në organet legjislative si në nivel qendror dhe në atë lokal (Neni 111.6).
Në Ferizaj ashtu siç parashihet edhe me ligj, Kuvendi i komunës ka përbërje prej 30% gra dhe 70% burra.
Kryesuesja shtoi se në komunën e Ferizajt në këtë mandat, roli i gruas në vendimmarrje është avancuar, ku për herë të parë Kuvendi i Komunës udhëhiqet nga një grua, gjithashtu nga 11 drejtori, janë tri gra drejtore të cilat udhëheqin drejtoritë me rëndësi të lartë dhe deri më tani janë treguar mjaft të suksesshme.
Ekzistojnë edhe disa mekanizma institucional të cilët ndikojnë në arritjen e barazisë gjinore, dhe si të tillë në Ferizaj janë Zyrtarja për Barazi Gjinore, Komiteti për Barazi Gjinore, Grupi jo formal i grave anëtare të KK-së dhe Rregullorja për Barazi Gjinore.
“Ekzistues por jofunksional janë këta mekanizma për barazi gjinore.”, ka thënë Hysnije Mustafa Shamolli, asambliste e Kuvendit Komunal të Ferizajt.
Asamblistja u shpreh hapur dhe tha se kur duhet bërë ndryshime për gratë, duhet filluar që nga subjektet politike të cilat janë të “mbytura” nga dominimi i meshkujve në vendimmarrje.
“Forumet e Grave në partitë politike duhet të hiqen”, tha Hysnije Mustafa Shamolli. Më tutje ajo shtoi se këto forume funksionojnë vetëm gjatë fushatave elektorale, kështu duke u bërë arsye mburrjeje për partitë. Ndryshimi ndodh kur të hiqet Forumi i Gruas dhe partitë politike balancojnë anëtarët mes dy gjinive, duke bërë partinë 50% gra e 50% burra! Në të shumtën e rasteve, Forumet e Grave marrin “lëmoshë” nga kryetarët e subjekteve politike, për të realizuar ato pak aktivitete me të cilat ato si Forum i Gruas prezantojnë veten”, tha anëtarja e KK-së.
Në parimin për fuqizimin e grave duket se nuk janë të zhytur vendimmarrësit institucional dhe të partive politike në Ferizaj.
Kjo për arsyen se në potencimin e saj, asambleistja Mustafa Shamolli tregoi se gratë manipulohen nga burrat, kështu duke i’a lejuar burrave kompetencat për vendimmarrje. Ndërsa ato gra të cilat janë zëri i vetës dhe i grave tjera, indirekt përjashtohen nga grupi dhe ka pasur raste të i’u merret padrejtësisht pozita udhëheqëse.
“Odë Burrash” i emërtuan qeveritë lokale Grupi i Grave të Akademisë për Lidership.
“Barazia gjinore në nivele vendimmarrëse në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë për lakmi, por aktualisht duket se ka rënë përtokë. Ashtu si kabineti qeveritar edhe qeveritë lokale po ngjajnë përditë e më shumë në ODË BURRASH”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Këto të fundit reaguan për disa raste në Ferizaj, ku gratë u degraduan nga pozitat e tyre udhëheqëse.
Po ashtu për këto raste të cilat nga qytetarët u cilësuan padrejtësi, pati edhe peticione të cilat nuk u morën parasysh nga institucionet vendimmarrëse.
Për largimin e një zyrtare nga pozita udhëheqëse në fillim të vitit 2020, disa të rijnë i dërguan kryetarit edhe një peticion me kërkesë të rishqyrtimit të vendimit.
“Ne si grup kemi ndërmarrë iniciativë të bëjmë edhe një peticion dhe t’ia dërgojmë kryetarit të komunës që me shqyrtua edhe një herë rastin e degradimit të pozitës së Dashurisë. Peticionit do t’ia bashkëngjisim edhe letrën me nënshkrime të të gjitha gjeneratave që kanë qenë vullnetarë dhe që kanë bashkëpunuar me të dhe lusim kryetarin që të shqyrtoj këtë vendim edhe një herë”, kishte thënë Elmira Topalli, organizatore e peticionit, në një prononcim për mediat lokale të Ferizajt.
Ndërsa, vet ish zyrtarja në llogarinë e saj në Facebook ishte shprehur e zhgënjyer dhe revoltuar në ditën kur pranoi vendimin për shkarkim nga pozita e saj udhëheqëse.
“17 vjet mund, kontribut dhe angazhim, sot kam pranuar vendimin më absurd në institucionin ku edhe jam rritur, nga pozita Udhëheqëse e Sektorit të Rinisë në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në pozitën Zyrtare për Shërbime Sociale, kjo nuk don koment. Marre!”, është shprehur ish zyrtarja në një postim në Facebook.
Në anën tjetër Komuna e Ferizajt në një postim publik të tyre treguan se gratë nuk do të jenë “makijazh” i qeverisjes, por forcë lëvizëse e ndryshimeve dhe vendimmarrëse reale në gjithë skuadrën e shërbimit të Komunës për qytetarët
Ata raportuan për mbi 300 gra dhe vajza në pozita të nivelit të lartë e të mesëm drejtues e profesional, të punësuara, që bashkë me të parin e Ferizajt, Agim Aliu, çdo ditë sendërtojnë barazinë, shërbimet cilësore e shansin për të gjithë./Telegrafi