Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se për një periudhë katër mujore, ka angazhuar 35 persona në stafin shëndetësor, prej tyre 10 mjekë dhe 25 infermierë.
Ai ka thënë se ky vendim është një mundësi e mirë për mjekët dhe infermierët e papunësuar që të kontribuojnë në këtë betejë.
Shkrimi i tij pa ndërhyrje:
Covidi më së shumti ka prekur personelin shëndetësor të cilët na baza ditore kanë qenë në kontakt direkt me virusin. Një pjesë e madhe e tyre janë infektuar duke rrezikuar edhe familjet e tyre.
Për pasojë, për shkak të nevojes për shërim dhe vetëizolim, kapacitetet tona për të ofruar shërbime janë goditur tërë kohën dhe posaqërisht tani. Javën e kaluar për shkak të kërkesave në Kalabri dhe në QMFtë tjera kemi rrezikuar mbylljen e dy Qendrave të Mjekësisë Familjare. Ky edhe ka qenë rekomandimi i menaxherëve duke mos pas opcione tjera.
Të premten kemi vendosur që për një periudhë afatshkurtër – 4 muaj – të angazhojmë edhe 35 persona në stafin shëndetësor – 10 mjekë e 25 infermierë. Personat janë përzgjedhur nga konkursi i fundit – ata që kanë qenë në listë të pritjes.
Së bashku me 40 profesionistë të pranuar me konkurs të rregullt Prishtina është gati për këtë front duke ditur që tani fillon edhe koha e gripit sezonal. Është edhe një mundësi e mirë për mjeket e infermierët të papunësuar të kontribuojnë në këtë betejë duke u paguar për punën që bëjnë!