Numri i personave të infektuar me virusin Covid-19 në Kosovë po vazhdon të rritet edhe më shumë dita ditës.
Kësisoj edhe numri i rasteve që po përfundojnë me fatalitet, po shënon rritje në vend.
Ata që po rrezikohen më së shumti nga ky virus, vlerësohet të jenë personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike të mushkërive.
Pulmologu Flamur Marku, ka treguar për Front Online, se edhe numri i personave me probleme në mushkëri, të cilët po infektohen nga virusi Covid-19 në vend, po shkon duke u rritur.
Ai ka thënë se ky virus, po ua ngarkon edhe më shumë gjendjen shëndetësore atyre.
“Ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të pacientëve me Covid të cilët janë të prekur nga problemet me mushkëri. Tek këta persona që kanë problem me mushkëri është situata më e ngarkuar”, ka theksuar ai për Front Online.
Sipas tij, komplikimi më i madh i Covid-it është kur i prek mushkëritë ose kur shkakton pneumoni, ndezje të mushkërive, e cila ulë funksionin e mushkërive dhe ndikon në përkeqësimin e gjendjes së përgjithshme të organizmit.
Personave me Covid po ua rëndon gjendjen shëndetësore ajri i ndotur
Marku është shprehur se gjendjen me pandeminë, po e vështirëson edhe ndotja e ajrit në vend.
Sipas tij, te personat me probleme kronike të mushkërive, është përkeqësuar edhe më shumë gjendja gjatë kësaj kohe, kur edhe është rritur niveli i ndotjes së ajrit.
“Te personat me probleme kronike të mushkërive gjendja është përkeqësuar në këtë kohë. Ndërsa në rastin kur ata janë të prekur edhe nga virusi, kemi një gjendje edhe më të rënduar të tyre, në krahasim me personat që nuk kanë probleme të tilla kronike”, ka deklaruar ai për Front Online.
Marku ka treguar edhe se si duhet të mbrohen qytetarët gjatë kësaj kohe kur niveli i ajrit të ndotur është i lartë.
“Mbrojtja më e mirë nga ndotja e ambientit është përdorimi i maskave, e cila është obligim edhe për mbrojtjen nga virusi. Qytetarët duhet të qëndrojnë sa më shumë brenda. Ndërsa kur ju duhet të dalin, ata patjetër duhet të përdorin maska”, ka thënë ai për Front Online.
Ai është shprehur se zakonisht nga problemet e mushkërive janë më shumë të prekura moshat e shtyra./Front Online/