Psikologu Rron Kastrati është deklaruar gjithashtu mbi ndikimin që kanë besimet popullore dhe praktikat magjike në psikologjinë e individëve, duke nxjerrë në pah lidhjen e ngushtë të këtyre besimeve me kulturën, historinë dhe psikologjinë e komunitetit. Sipas tij, këto besime shpesh janë të formuara nga një kombinim faktorësh psikologjikë, kulturorë dhe historikë, dhe ato kanë një ndikim të fuqishëm në perceptimin e individëve për botën që i rrethon.
‘’Do ta konsideroja këtë të rëndësishme në qoftë se hedhim vështrimin ne besimin e njerëzve tk praktikat besëtytnorë popullore dhe magjistareske të cilat burojnë nga një kombinim faktorësh psikologjikë,kultutorë dhe historik dhe me patjetër rol impaktues’’,tha Kastrati
Një element i rëndësishëm që psikologu Kastrati thekson është ndikimi i trashëgimisë kulturore dhe historike në mbajtjen e këtyre besimeve. Praktikat magjike dhe besimet popullore shpesh janë pjesë e një identiteti kolektiv që kalon nga brezi në brez dhe formojnë një pjesë të pandashme të kulturës dhe traditave të një komuniteti. Kjo është arsyeja pse, sipas tij, ato kanë një ndikim të thellë në mënyrën se si njerëzit perceptojnë dhe përjetojnë realitetin, duke i bërë ata më të prirur të besojnë dhe të veprojnë sipas këtyre besimeve, edhe kur ato janë të pavërtetuara shkencërisht.
Kastrati gjithashtu vë në dukje se individët shpesh bien pre e ndikimeve psikologjike që burojnë nga këto besime dhe praktika. Kjo ndodh për shkak të ndjeshmërisë që kanë njerëzit ndaj fenomeneve të pashpjegueshme, siç janë ngjarjet që nuk mund të kuptohen ose shpjegohen me një mendim racional. Në shumë raste, njerëzit janë të prirur të besojnë se këto fenomene vijnë nga një “dimensio” tjetër, nga shpirtrat, fantazmat, ose edhe nga teori konspirative, si ato që përfshijnë ide për ekzistencën e jashtëtokësorëve. Këto besime, edhe pse të pavërtetuara dhe të pa verifikueshme shkencërisht, mund të kenë një efekt të fuqishëm dhe të dëmshëm mbi psikologjinë e individëve, duke i çuar ata në një cikël besimesh deluzive dhe të deformuara.
‘’Ne jemi të prirur të biem pre e ndikimit sugjestibil të këtyre praktikave dhe sigurisht që u nënshtrohemi lehtas duke besuar dhe duke u frikësuar njëkohësisht nga e panjohura dhe këto janë momentet e pasigurisë kur njerëzit shpesh herë kërkojnë medoemos shpjegime për fenomenet që nuk I kuptojnë , zakonisht fenomene që nuk pranohen nga shqisat tona ose nga dukuritë, ashtu themi para normale të cilat ne I mendojmë po I besojmë që vijnë nga një dimension paralel ose nga shpirtrat, fantazmat , njerëzit e vdekur ose edhe tek mendimet tashmë konspirative alienët megjithëse këto janë të paverifikueshme dhe jo shkencore’’, tha Kastrati për FrontOnline.
Në lidhje me mjekësinë popullore, Kastrati argumenton se edhe pse ajo ka elemente të dobishme në disa raste, nuk ka një mbështetje shkencore të vërtetuar. Ai thekson se mjekësia popullore mund të ofrojë shpresë për disa individë, duke iu përshtatur besimeve të tyre dhe duke i ofruar një mundësi për t’u ndjerë më të qetë dhe më të sigurte.
‘’ Mjekësia popullore sigurisht që nuk ka evidencë shkencor megjithëse në disa raste u ndihmon njerëzve duke iu përshtatur besimit të tyre sepse lehtësisht hipnotizohen dhe këto lloj praktikash për disa njerëz ofrojnë shpresë e janë ngushëllim ku në çdo moment kur nuk gjejnë rrugëdalje gjejnë rrugëdaljen aty por jo zgjidhjen ‘’, tha Kastrati.
Mjekët apo “mjekët popullor”/ Kujt u besojnë më shumë kosovarët?