Këshilltari i ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani, Faton Peci, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ia ka pamundësuar pjesëmarrjen e Osmanit në ceremoninë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.
Ai ka thënë se Osmani ka shprehur gatishmërinë të jetë prezente në këtë ceremoni, por se ministria e udhëhequr nga Meliza Haradinaj-Stublla e ka shkelur Protokollin shtetëror duke i pamundësuar asaj të ketë adresim dhe po ashtu duke i pamundësuar rolin në ceremoni që i takon sipas praktikave dhe protokollit.
“U.d Presidentja nuk e ka injoruar ceremoninë për marrëdhëniet diplomatike me Izraelin por MPJD ka injoruar protokollin dhe kërkesat e Presidencës, si institucion që sipas kushtetutës udhëheqë me politikën e jashtme”.
“Është për keqardhje që MPJD ka instrumentalizuar protokollin e shtetit për të shtyrë përpara agjenda partiake në prag të fushatës zgjedhore. Qasja e tillë e MPJ-së e dëmton jo vetëm kredibilitetin e saj, por edhe të vet shtetit të Kosovës”.
Peci ka shkruar se Osmani ka përshëndetur dje lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit dhe sot ka zhvilluar bisedën e parë telefonike me kryetarin e Knesset-it.
“Siç ka potencuar vazhdimisht, njohja nga Izraeli reflekton edhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes dy popujve tanë”.