×
  • Opinione
  • Opinione

    Pse s’po funksionon LVV dhe ‘magjia’ e Albin Kurti?

    Shenoll Muharremi
    22 Janar 2025

    Nga: Shenoll Muharremi

    Ka një dallim të thellë mes frymës zgjedhore në vitin 2021 dhe tani në 2025. Në zgjedhjet e kaluara, thuajse çdo shtëpi kishte nga një votues për LVV-në, por tani sentimenti pro nuk është aty, është zhdukur, mungon. Çfarë ka ndodhur? Pse nuk po ‘dhezë’ fushata e Kurtit si më parë?

    LVV po paraqitet si një parti apo organizatë nacionaliste. Flamuri kuq e zi gjithandej dhe mungesa e simboleve të Kosovës kanë domethënie të madhe. Fillimisht, ti po e përbuzë shtetin tënd dhe atë që të ushqen dhe paguan pagën. E gjithashtu në Kosovë nuk jetojnë vetëm shqiptarët, por edhe komunitete të tjera. Koncepti bazë dhe ADN-ja e Kosovës është e pasur me shumë ngjyra, kultura dhe etni. Me këtë sjellje, LVV dhe Kurti po paraqiten sikur e duan një Kosovë vetëm për shqiptarët dhe nuk e marrin parasysh kompleksitetin dhe kulturën shumëetnike të banorëve të Kosovës historikisht. Me një fjalë, ata i përjashtojnë nga ky vizion. Kjo qasje është e paqëndrueshme dhe e vonuar disa shekuj në histori. Sidomos nuk mund të zgjidhë me qëndrueshmëri veriun e vendit; e moszgjidhja na dërgon në ndarjen e Kosovës. Gjithashtu, ky koncept është kundër parimeve bazë në të cilat është investuar tepër për 25 vite.

    Problemet janë ekonomike, ndërsa koncepti dhe oferat e LVV-së duken si të shekullit të 19-të. Kur përmenden Tetova dhe Sanxhaku, ne kthehemi tek Kongresi i Berlinit dhe Perandoria Osmane. Në atë kohë, Vilajeti i Kosovës ishte organizuar ndryshe dhe përfshinte edhe pjesë të Maqedonisë dhe Sanxhakut. Koncepti politik i LVV-së është i ngjashëm me këtë mendësi: “Po japim ndihma për Sanxhakun, po e lidhim Prizrenin me Tetovën”. Kurti e shef vetën si një ‘sulltan’ të Kosovës së Madhe, por sot të gjithë po përpjekemi për kualitetin e jetës së qytetarëve dhe për një qeveri të vogël. Edhe pse gjithashtu ky premtim me rrugën e Tetovës është i vjetër dhe nuk u realizua gjatë mandatit, pra gjithashtu ekspozon qeverisjen joefikase të Kurtit II. Si koncept politik, fushata është e shekullit të 19-të, rreth Kongresit të Berlinit. Kemi probleme dhe sfida ekonomike të kohës moderne me inflacion dhe mungesë të politikave publike efikase, por na ofrohen dogma nacionaliste të vjetruara dhe të padobishme.
    Nuk mbulohet impotenca në qeverisje dhe realizimi i dobët i projekteve me zhurmë dhe britma në tubime. Gjithashtu, nuk mund të fajësosh opozitën dhe të gjithë botën kur ke pasur pushtet absolut në qeveri për katër vite. Faji nuk është diku tjetër, ai duhet kërkuar në shtëpinë tënde. “Nuk e përfunduam autostradën për Gjilan sepse na penguan” Si? Urdhëro?! Kjo nuk është e pranueshme. Gjithashtu, rruga për Tetovë nuk u ndërtua siç u premtua. Pra, ka një historik të performancës së dobët në zbatimin e projekteve; janë disa projekte, jo një apo dy të izoluara. Impotencën në qeverisje nuk mund ta kamuflojë askush me britma dhe sulme kundër opozitës. Këtë askush nuk e beson.

    Problemi është te tregu, çmimet, fuqia blerëse dhe mungesa e rezultateve konkrete në ekonomi dhe mirëqenie. Zakonisht, kur kemi telashe praktike, na paraqitet patriotizmi dhe nacionalizmi si mbulesë për të kamufluar telashet konkrete të publikut, qytetarëve dhe familjeve. Njerëzit nuk mund të kryejnë pagesa me flamurin kuq e zi në arkat e marketeve duhen eurot! As faturat e larta të energjisë elektrike nuk paguhen me britma në tubime, KEDS i kërkon cent më cent eurot pa vonesë. Nuk ka asnjë fjalë për sfidat dhe krizën e çmimeve apo fuqisë blerëse, dhe asnjë zgjidhje nuk po ofrohet. Nuk ka asnjë fjalë për keqmenaxhimin e inflacionit apo si do të menaxhohet ekonomia më mirë. Problemet po mbulohen me flamurin kuq e zi dhe brohoritjet e organizuara të militantëve. Ndoshta për disa minuta gjatë “dramës” kjo funksionon, por sapo del jashtë shtëpisë, realiteti ndryshe fillon të dominojë jetën e qytetarëve. Shif boxhin e rritur të familjeve në banka me miliarda edhe kuptohet më mirë esenca e kësaj dhe mungesa e zgjidhjeve.
    Kjo nënkupton që LVV dhe orientimet politike dhe ideologjike të Albin Kurtit duhet të reformohen sa më parë. Ajo çfarë po shohim nuk përket as me realitetin e as me të ardhmen e Kosovës dhe rajonit. Nuk zgjidh probleme dhe nuk zhbllokon potencialin e Kosovës, por i kamuflon problemet dhe përdor nacionalizmin si mbulesë për impotencën qeverisëse dhe mungesën e vizionit. Kjo do të jetë puna kryesore e strategjistëve të LVV-së pas 9 shkurtit. Ajo që do të shohim më 9 shkurt nuk është fundi; nëse LVV nuk reformohet, do të vazhdojë të tkurret edhe më shumë në vitet e ardhshme.

    LVV e Kurtit mund të ulet jo vetëm në 300,000 vota pas 9 shkurtit, tkurrja mund të shkojë edhe tek 200,000 dhe më pas tek 100,000 në vitet e ardhshme. Prandaj, vizioni dhe orientimi i tyre duhet të jetë praktik për nevojat e së tashmes dhe së ardhmes, e jo për Kongresin e Berlinit. Kanë kaluar 150 vite nga ajo kohë dhe tashmë edhe qeveritë po zbehen, ndërsa aktorët jo-shtetërorë po rriten dhe fuqizohen. Shumëçka nuk ekziston më nga ajo frymë dhe kohë. Asgjë nuk do të fitojmë në të ardhmen me atë qasje.

    Detyra e LVV-së dhe Kurtit nuk është të na tregojnë flamurin kuq e zi dhe të jenë negativë e arrogantë me të tjerët. Ai duhet të bëhet praktik dhe të ofrojë zgjidhje për sfidat serioze të qytetarëve, bizneseve dhe ekonomisë. Duhet sidomos të përmirësojë shkollën e qeverisjes brenda LVV-së, që të ketë një qeverisje më efektive, e jo të fajësojë të tjerët për mosrealizim pas katër vitesh qeverisje.

    Kurti ka shumë punë përpara dhe prioriteti i tij nuk është opozita dhe flamuri kuq e zi, por shtëpia dhe oborri i tij. Ai duhet të mendojë se si të adaptohet me nevojat e së sotmes dhe të së ardhmes, si dhe si të zgjidhë sfidat e qytetarëve si rryma, çmimet, ajri i ndotur dhe deficiti miliardësh tregtar. Këto zgjidhje nuk kanë të bëjnë as me flamurin kuq e zi dhe as me të tjerët. Problemi është brenda shtëpisë dhe aty duhet të gjenden zgjidhjet.

    Ky postim është marrë nga rrjeti social Facebook i Shenoll Muharremit.

    Nga Rubrika
    Opinione17 Shkurt 2025
    Shkruan: Jeff Hovenier Vendimi i papritur i administratës Trump për të tërhequr pothuajse të gjithë forcën e punës së USAID-it jashtë shtetit...
    Opinione14 Shkurt 2025
    Nga: Miranda Rira  Dy vetëvrasje të dy vajzave të reja shoqëruan ditët e para të shkurtit. Në 4 shkurt, një nënë e...
    Opinione13 Shkurt 2025
    Nga: Ekrem Spahiu Pati plot pandehma, madje edhe shtytje, nga brenda dhe nga jashtë Kosovës, për të relativizuar e orientuar zgjedhjet e...
    Të tjera
    Lajme18 Shkurt 2025
    Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Gjyqtari ka konstatuar se nuk kanë pushuar arsyet për ndërprerjen e...
    Lajme18 Shkurt 2025
    Testi me shkrim për patentë-shoferë mbetet një nga “fobitë” e kandidatëve që duan të pajisen me leje për vozitje në Kosovë, kjo...
    Kronika18 Shkurt 2025
    Policia në Fushë Kosovë ka arrestuar të hënën një person pasi dyshohet se e ka ngacmuar një vajzë të mitur. Në raportin...
    Kronika18 Shkurt 2025
    Në fshatin Kojush, Vërmicë, policia ka ndaluar një furgon në të cilin raportohet se janë gjetur 2390 kilogramë duhan, me vlerë rreth...
    Lajme18 Shkurt 2025
    Policia e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1016 gjoba trafiku Në këtë periudhë janë evidentuar disa aksidente, 31 me...
    Lajme18 Shkurt 2025
    Një person është arrestuar të hënën në Fushë-Kosovë, nën dyshimin se e ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur. Policia ka njoftuar...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.