×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Pse lufton Azerbajxhani?

    FrontOnline
    13 Tetor 2020

    Shtëpi të shkatërruara në Ganja, një ditë pas zjarrit të artilerisë armene, gjatë luftimeve lidhur me rajonin separatist të Nagorno-Karabakut.

    Numri gjithnjë e më i madh i viktimave si brenda ashtu edhe përreth Nagorno-Karabakut do ta bëjë më të vështirë për fuqitë e huaja të bindin Armeninë dhe Azerbajxhanin që të përmbahen, e t’i kthehen tryezës së bisedimeve, thonë të shqetësuar diplomatë dhe analistë.

    Një mijë persona, mes tyre më shumë se 60 civilë, mendohet të jenë vrarë deri më tani gjatë luftimeve të fundit mbi enklavën e shkëputur, e cila është e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por që kontrollohet nga armenët etnikë. Armëpushimi i ndërmjetësuar të shtunën nga Moska, po respektohet vetëm pjesërisht. Palët ndërluftuese po akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të tij.
    Luftimet më të ashpra të hënën duket se u zhvilluan rreth Hadrut, vetëm pak kilometra larg në jug të Stepanakert-ut, kryeqyteti i Nagorno-Karabakut. Por sulme me granata janë raportuar edhe në zona të tjera. Azerbajxhani tha se një raketë goditi të shtunën objekte të banuara në qytetin e Ganjas, duke vrarë nëntë persona. Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi hyri në fuqi armëpushimi. Armenia mohoi të kishte përgjegjësi mbi ngjarjen.

    Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev e quajti sulmin ndaj qytetit “një krim lufte” dhe një shkelje të rëndë të armëpushimit dhe u zotua për “një hakmarrje në të njëjtën shkallë” siç tha ai.

    Zyrtarët ushtarakë të Nagorno-Karabakut akuzuan forcat azerbajxhanase për sulm ndaj Stepanakert-ut dhe qytete të tjera të hënën, në shkelje të armëpushimit.

    “Këto vdekje radikalizojnë shoqëritë dhe e bëjnë situatën politike edhe më sfiduese”, thotë Laurence Broers i organizatës britanike “Chatham House”. “Mes bombardimesh të vazhdueshme, civilët e popullsisë armene të Nagorno-Karabakut dhe në vendbanimet e Azerbajxhanit rreth të ashtuquajturës ‘Linja e Kontaktit’ po përjetojnë një katastrofë humanitare”, tha ai. “krahas ndarjes, ka zënë vend hidhërimi dhe cinizmi toksik”, shtoi ai.

    Enklava malore, e cila shtrihet brenda kufijve të Azerbajxhanit, por gëzon de facto pavarësi dhe që ka një shumicë armene, nuk ka parë përplasje kaq të ashpra që nga fillimi i viteve 1990, kur rreth 30 mijë njerëz humbën jetën përpara një armëpushimi të ndërmjetësuar kryesisht nga Moska dhe mbështetur nga SHBA dhe Franca, i cili i la mosmarrëveshjet e ngrira.

    Konflikti disa dekada i gjatë është ndezur në mënyrë periodike me përleshje episodike që janë pasuar nga armëpushime të trazuara mes palëve. Këtë herë, megjithatë, presidenti i Azerbajxhanit duket i vendosur të sigurojë një përparim ose me forcën e armëve ose në tryezën e bisedimeve. Zhgënjimi i Azerbajxhanit është thelluar me mungesën e progresit diplomatik dhe me atë që ata e shohin si neglizhencë të ankesave të tyre, thonë analistët. Përplasjet e reja kishin dhënë sinjale prej muajsh, thonë vëzhguesit, por të shpërqendruar nga pandemia e koronavirusit dhe emergjencave të tjera, fuqitë botërore i anashkaluan shenjat që paralajmëronin konfliktin.

    Bisedimet afatgjata të mbikëqyrura nga Franca, SHBA-ja dhe Rusia si bashkëkryetarë të të ashtuquajturit Grupi i Minskut i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), janë dobësuar për vite me radhë, duke krijuar zhgënjim në Baku.

    Durimi po soset

    Azerbajxhanasit thonë se kanë qenë të durueshëm dhe se mungesa e përparimit ka ndikuar tek ata shumë më tepër sesa tek Armenia. Armëpushimi i vitit 1994 ka mbajtur në fakt në fuqi kontrollin e Armenisë jo vetëm mbi Nagorno-Karabakun, por edhe mbi shtatë zona të tjera azerbajxhanase në kufi me enklavën e kapur nga forcat armene në vitet 1990. Në total, rreth 20% e territorit të njohur ndërkombëtarisht të Azerbajxhanit është nën kontrollin e Armenisë.

    Ata ankohen se rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u kërkojnë trupave armene të largohen nga të gjitha territoret e pushtuara, janë injoruar nga zyrtarët në kryeqytetin armen, Jerevan.

    “Azerbajxhani ka qenë i duruar për dekada,” thotë Robert Cutler i Institutit Kanadez të Çështjeve Globale, një institut kërkimor me qendër në Calgari dhe Otava. “Azerbajxhani ka paralajmëruar ndër vite se përdorimi i forcës do të ishte një mundësi e fundit nëse procesi i paqes do të shterohej,” vuri në dukje zoti Cutler në një intervistë për kanalin e Kanadasë Hill Times.

    Ajo që e mbushi kupën për Bakunë, thotë ai, duket se ka qenë refuzimi publik, që nuk u vu re shumë jashtë rajonit, nga ana e kryeministrit armen Nikoll Pashinyan i parimeve themelore të procesit të paqes në Minsk për të cilin të dy palët kishin rënë dakord.

    Në një fjalim më 5 gusht të vitit të kaluar, zoti Pashinyan njoftoi “Nagorno-Karabaku është Armeni dhe pikë”. Zoti Cutler e përkufizon një pohim të tillë si një “aneksim verbal”, të nxitur nga nevoja e Pashinjanit për të qetësuar nacionalistët në vendin e tij.

    “Asnjë politikan armen nuk e kishte thënë një gjë të tillë që nga lufta në fillim të viteve 1990, së pari sepse ishte një bombë politike – meqenëse territori u njoh ndërkombëtarisht të ishte pjesë e Azerbajxhanit – dhe së dyti sepse Armenia ishte përpjekur të paktën në pamje të jashtme, të ruante idenë e pavarësisë së Republikës së Nagorno-Karabakut nga Armenia”, thotë Cutler.

    Në korrik, zoti Pashinyan gjithashtu refuzoi çdo rol në bisedimet përfundimtare të paqes për rreth 800,000 azerë etnikë të cilët u arratisën nga enklava në vitet 1990 ndërsa ajo po merrej nën kontroll nga armenët etnikë dhe 200,000 njerëz të tjerë nga Armenia. Ai tha se negociatat duhet të përfshijnë vetëm përfaqësues etnikë armenë nga Nagorno-Karabakun përkrah qeverive të Armenisë dhe Azerbajxhanit.

    Mbështetja turke

    Azerbajxhani duket se tani ka avantazh ushtarak, kryesisht falë mbështetjes nga Turqia. Azerbajxhani ka modernizuar ushtrinë që nga viti 2016, duke blerë nga jashtë armë në vlerën e 10 miliardë dollarëve gjatë viteve të fundit.

    Zaur Shiriyev, një analist i Kaukazit Jugor për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, me bazë në Bruksel, thotë pasi ka vizituar vijat e frontit të Azerbajxhanit se morali i ushtrisë është i lartë.

    “Përparime më të mëdha se ato të arritura në shpërthimin e fundit të konsiderueshëm të luftimeve në Prill 2016 janë bërë të mundshme nga tërheqja ajrore e forcave tokësore armene duke përdorur dronë turq dhe izraelitë,” thotë Laurence Broers i Chatham House.

    “Ndërsa situata mbetet e ndryshueshme, forcat Azerbajxhanase duket se kanë patur sukses në thyerjen e vijës së fortifikuar të Kontaktit, veçanërisht përgjatë krahut jugor,” shton ai.

    Përparimet ka të ngjarë ta bëjnë më të vështirë për presidentin e Azerbajxhanit që të vendosë për një rikthim në status quo-në e kohës përpara ofensivës. Ai tani ka rritur pritshmëritë e miliona azerëve që u larguan nga enklava dhe zonat përreth. Zoti Aliyev javën e kaluar tha se vendi i tij do të rimarrë territorin e tij të humbur “ose përmes paqes ose me luftë”.

    Zaur Shiriyev thotë se gjatë vizitës së tij ai pa mes ushtarëve azerbajxhanas një “ndjenjë vendosmërie për të luftuar më tej”, dhe mes civilëve një “mungesë shumë të dukshme të mbështetjes” rreth idesë së kthimit tek bisedimet e paqes./VOA

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni13 Nëntor 2024
    Senatori Marco Rubio është nominuar për Sekretar të Shtetit nga presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Rubio përmes...
    Bota/Rajoni13 Nëntor 2024
    Pothuajse gjysma e të rriturve i zë paniku kur bateria e celularit të tyre është pothuajse bosh. Është edhe më keq për...
    Bota/Rajoni13 Nëntor 2024
    Senatori Marco Rubio është nominuar për Sekretar të Shtetit nga presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Lidhur...
    Të tjera
    Lajme13 Nëntor 2024
    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, lidhur me edukimin seksual në shkolla, ka theksuar se dokumentet dhe doracakët përkatës nuk janë miratuar gjatë...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Gjenerali amerikan, Wesley Clark thotë Shqipëria ka sukses në zhvillimin ekonomik, teksa sipas tij, Kosova mund të bëjë më shumë. Clark u...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Ferid Agani nga Lista për Familje ka thënë se është kundër edukatës seksuale në shkolla me këtë model të MAShT-it. Agani në...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci po bënë hajgare me deklarata se ”1 mijë ushtarë...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani është takuar sot në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën shkëmbyen mendime për situatën...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar për takimin me fermerët nga Prishtina, për të cilët ka thënë se...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.