Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion simbolik para zyrës së BE-së, ku ka vendosur hartën e shtetit të Kosovës.
Një aksion i tillë vjen dy ditë pasi emisari, Miroslav Lajçak u shfaq në një intervistë, ku krahas flamurit të BE’së shihet një hartë ku paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.
Frashër Krasniqi nga kjo parti ka thënë se Kosova s’mund të pranojë asnjë zgjidhje që e bën jofunksional shtetin e Kosovës.
“Siç mund ta dini ekziston vetëm një hartë ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, dhe ajo është harta e Serbisë dhe e aleatëve të saj. Për ne është shqetësuese, e papranueshme, befasuese se si të njejtën hartë po e përdorë edhe përfaqësuesi i BE’së në negociata, Lajçak. Z.Lajçak edhe sot kur doli gjoja me përgënjeshtru paraqitjen e tij të mëhershme ku kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm administrativ, prapë e kishte përdorë një hartë ku kufiiri është vijë administrative. Ky lloj referimi Kosovës si status i paqartë dhe jo jo e shkëputur prej Serbisë po duket se nuk është i paqëllimshëm”, ka thënë Krasniqi.
Sipas Krasniqit, më shqetësues është mosreagimi i Kurtit për këtë çështje dhe afërsia e tij me Lajçak.
“Tash paramendone çfarë rezultati mund të kenë disa negociata ne të cilat ndërmjetësuesi ka pozicion si të Serbisë, që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm kufi administrativ. Më shqetësuese është situata kur kryeministri në ardhje, Albin Kurti ka shpreh afërsi me z.Lajcak, përkundër shteteve të tjera aleate me Kosovën, ai e ka zgjedhur z.Lajçak”, ka thënë Krasniqi pas aksionit.