Avokati Arianit Koci ka bërë ftesë për një protestë masive dhe të qetë më 20 korrik, në orën 11:00, para Kuvendit të Kosovës, për të kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.
Sipas tij, protesta do të jetë paqësore dhe me një kërkesë të qartë: përfundimin e bllokadës dhe të funksionojnë institucionet.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, për Front Online, tha se janë të gjithë të zhgënjyer me procesin e mos-konstituimit të Kuvendi derisa shtoi se do të shqyrtohet mundësia e bashkimit për protestë.
“Ne normalisht jemi të gjithë të zhgënjyer me procesin e moskonstituimit dhe ne kemi menduar disa herë me lëshu Kuvendin, në formë proteste, por tash a i bashkohemi a jo, normalisht që duhet me mendu”, tha ai për Front Online.
Xhaferi tha se e mbështetë çdo iniciativë që kërkon të ndërhyjë në këtë proces, pasi situata aktuale në Kuvend është e papranueshme.
“Normalisht që e përkrahi çdo iniciativë të tillë, sepse kjo është e papranueshme se çka po ndodh ne Kuvend”, tha Xhaferi për FrontOnline. /FrontOnline/