×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Propozimi për 21% rritje të çmimit të rrymës, vijnë reagimet: Pasoja për familjet, bizneset dhe prodhimin

    FrontOnline
    30 Janar 2026

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka publikuar aplikimet fillestare të kompanive KESCO, KEDS dhe KOSTT për kostot dhe të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026.

    KESCO kërkon një korrigjim mbi 49 milionë euro, ndërsa KEDS mbi 41 milionë euro, duke e çuar totalin mbi 90 milionë euro, që do të përkthehej në një rritje të mundshme të tarifave të energjisë afër 21%.

    Pas këtij propozimi, reagimet nuk kanë vonuar.

    Njohës të energjetikës dhe të ekonomisë kanë paralajmëruar se një rritje e tillë do të godasë familjet, bizneset dhe sektorin e prodhimit, duke kërkuar analizë të gjithë sektorit energjetik për të mbrojtur konsumatorët.

     

    Njohësi i energjetikës paralajmëron: Çmimi i rrymës mund të godasë familjet dhe bizneset

    Vezir Rexhepi, njohës i fushës së energjisë, ka paralajmëruar se çdo rritje e mëtejme e çmimit të energjisë elektrike do të godasë rëndë familjet, dhe bizneset.

    “Duke pasur parasysh aktualitetin ekonomik  gjendjen sociale dhe trendët ekonomike, rritja e mëtejme e çmimit të energjisë elektrike edhe më shumë godet amvisërinë, ekonomitë familjare, bizneset, shërbimet si dhe sektorin e prodhimtarisë”, shprehet ai.

    Ai deklaron për “Front Online” se duke marrë parasysh kontratat e KESCO-s me KEK, që përbëjnë rreth 80% të energjisë totale të furnizuar nga KESCO, është e nevojshme një analizë e detajuar.

    “Bazuar edhe në kontratat e KESCO me KEK për blerje të energjisë, që përbën rreth 80% të energjisë totale nga KESCO konsideroj që duhet analizuar mirë tërë sektorët energjetik, KESCO, KOSTT, KEK e KEDS ashtu që konsumatorët të kenë energji pa rritje të çmimit të saj”, thotë Rexhepi për “Front Online”.

     

    Ish-ministri i Tregtisë kundër rritjes 21% të rrymës: Barra përfundimtare bie mbi qytetarët

    Ish-ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Ismet Mulaj në një prononcim për “Front Online” ka folur ndaj paralajmërimit të KESCO-s për një rritje të mundshme prej 21 për qind të çmimit të energjisë elektrike.

    Ai ka deklaruar se energjia është nevojë bazike dhe çdo shtrenjtim ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

    Sipas Mulajt, një rritje kaq e lartë do të kishte efekt zinxhir në shpenzimet familjare.

    “Energjia elektrike është nevojë bazike dhe çdo rritje ka efekt zinxhir në shpenzimet familjare dhe në çmimet e produkteve e shërbimeve. Një rritje kaq e lartë vështirë se mund të justifikohet pa u shteruar më parë të gjitha mundësitë për rritje të efikasitetit, ulje të humbjeve, menaxhim më të mirë të kostove dhe mbështetje nga institucionet shtetërore”, u shpreh Mulaj.

    Ai ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji që ta trajtojë këtë propozim me kujdes maksimal.

    “ZRRE duhet ta trajtojë këtë propozim me kujdes maksimal dhe në interes të publikut, duke siguruar transparencë të plotë dhe duke mbrojtur konsumatorin. Rritjet e tilla të larta nuk duhet të jenë zgjidhja e parë, sepse barra përfundimtare bie gjithmonë mbi qytetarin”, deklaroi Mulaj për “Front Online”.

     

     Eksperti i ekonomisë për çmimet e rrymës: Familjet me të ardhura të ulëta dhe pensionistët do të preken

    Lulzim Beqiri, njohës i çështjeve ekonomike në një deklaratë dhënë “Front Online” ka kritikuar propozimin e KEDS-it për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 21%, duke e cilësuar si një goditje të rëndë për ekonominë e qytetarëve.

    “Propozimi i KEDS-it për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 21% përbën një goditje të rëndë për ekonominë e qytetarëve dhe veçanërisht për grupet më të cenueshme të shoqërisë. Në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm dhe të ardhurat e shumicës së familjeve nuk po e ndjekin këtë ritëm”, tha Beqiri.

    Beqiri shprehet se energjia elektrike është një shërbim esencial dhe çdo vendim për rritje duhet të merret duke respektuar interesin publik.

    “Familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe bizneset e vogla do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet bazike. Energjia elektrike është një shërbim esencial dhe çdo vendim për rritje çmimi duhet të marrë parasysh interesin publik, transparencën dhe mbrojtjen e qytetarëve, e jo vetëm fitimin e kompanive energjetike”, ka deklaruar Beqiri për “Front Online”.

     

    Lulzim Syla për rritjen e cmimit të rrymës: ZRRE-ja duhet të jetë transparente ndaj qytetarëve

    Njohës i çështjeve të energjisë, Lulzim Syla për “Front Online” ka reaguar ndaj paralajmërimit të KESCO-s për një rritje të mundshme prej 21% të çmimit të energjisë elektrike.

    Ai shprehet se kjo është vetëm një kërkesë nga kompania dhe nuk do të thotë që rritja do të ndodhë domosdoshmërisht.

    “Pavarësisht deklarimeve të KESCO për një propozim të tillë prej 21% rritje të çmimit kjo nuk do të thotë që me patjetër duhet të ndodh një rritje e tillë sepse kjo është një kërkesë prej njërit nga kompanitë që e bënë furnizimin e energjisë elektrike”, ka thënë ai.

    Syla ka kërkuar ZRRe të tregojë më shumë transparencë.

    “Si rezultat i problemeve që ka ndodhë në vitet e kaluara me çështjen e rritjes së rrymës ZRRe duhet të jetë shumë më transparente në zbërthimin dhe qëndrimin e çfarëdo ndryshimi tek qytetaret dhe bizneset”, shprehet Syla për “Front Online”.

     

    Nga Rubrika
    Lajme03 Mars 2026
    Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë premtuar votën nëse ai do të kandidojë...
    Lajme03 Mars 2026
    Ramush Haradinaj, për herë të parë ka bërë publike letrat drejtuar Abdixhikut dhe Hamzës, me datë 21 janar të këtij viti, duke kërkuar...
    Lajme03 Mars 2026
    Përkunder takimeve të ditëve të fundit, partitë politike në vend nuk kanë arritur të pajtohen për një president konsensual. Analisti politik Albert...
    Të tjera
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, pas një seri sulmesh dhe kundër‑sulmesh midis Shteteve të Bashkuara...
    Sport03 Mars 2026
    Mërgim Vojvoda ka humbur një mundësi të artë të kalonte Comon në epërsi ndaj Interit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Mbrojtësi...
    Lajme03 Mars 2026
    Ramush Haradinaj, për herë të parë ka bërë publike letrat drejtuar Abdixhikut dhe Hamzës, me datë 21 janar të këtij viti, duke kërkuar...
    Lajme03 Mars 2026
    Deputetja e PDK-se Arbnora Salihu ka njoftuar se propozimi i saj për zgjerimin e fushëveprimtarisë së Komisionit për Kulturë, Turizëm dhe Sport,...
    Lajme03 Mars 2026
    Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, aktualisht kryetar i Lëvizjes Socialiste në Serbi, ka kërcënuar me sulme kundër Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, të martën tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin tërë tregtinë me Spanjën pasi vendi evropian refuzoi...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.