Ekipi i Kosovës në xhudo e mbylli Kampionatin Evropian “Lisbona 2021” me tri medalje të fituara.
Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova fituan medalje të arta, derisa Nora Gjakova e fitoi të bronztën, shkruan FrontOnline.
Përveç tyre, Kosova mori pjesë në këtë garë edhe me Laura Fazliun dhe Loriana Kukën, të cilat zunë vendin e pestë në kategoritë përkatëse.
Kështu, Kosova ishte shteti më i suksesshëm në këtë garë me tri medalje të fituara dhe me dy “vende të pesta”.
Për punën e madhe të Driton Kukës ka folur edhe trajneri i mirënjohur, Afrim Tovërlani.
“Toki” ka deklaruar se falë këtyre sukseseve, Kukës duhet t’i ngritet një statu menjëherë.
“Kukës duhet t’i ngritet që tash një statu, kjo tregon se edhe shqiptarët dijnë të punojnë. Ai nuk është as gjerman, as anglez, e as francez”, ka thënë Tovërlani në “Dueli Sportiv”.
“Më kujtohet kur Majlinda ishte në olimpiadë me Shqipërinë, nuk pati sukses dhe mori kritika të mëdha, por më pas u rikthye me suksese”, tregoi ai.
“Këto suksese janë sinjal që ne shqiptarët jemi më të fortë në sporte individuale se sa në ato kolektive”, tregoi “Toki”./FrontOnline/