Prokuroria Speciale, në një përgjigje për Gazetën Express, e ka konfirmuar arrestimin e Naser Hafizit, ushtrues i detyrës së Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore.
“Konfirmoj arrestimin e të njëjtit”, tha shkurt zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaq.
Hafizi është arrestuar në aeroportin e Prishtinës.
Të martën, me urdhër të Prokurorisë Speciale u zhvillua një aksion në Ministrinë e Mjedsit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Gjatë këtij aksioni u arrestua zv/sekretari i Ministrisë, Izedin Bytyqi, derisa për Hafizin u tha se nuk është gjetur në banesë.
“I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.”, thuhej në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë.