Prokuroria e Shtetit thotë se po e përcjellë procesin e votimit në Podujevë e Mitrovicë të Veriut.Qytetarët ftohen nga prokuroria që çdo shkelje të drejtës së votës ta raportojnë tek Policia dhe Prokuroria.
Ky është njoftimi i plotë nga Prokuroria:
Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se është duke përcjellë me vëmendje procesin zgjedhor i cili po zhvillohet sot, për kryetarë të dy komunave, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.Që nga ora shtatë e mëngjesit të sotëm, janë të angazhuar prokurorë kujdestarë, të cilët do të përcjellin për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në zgjedhjet lokale, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut. Prokurorët kujdestarë janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit.Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo shkelje që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria të gjitha pretendimet për keqpërdorim të votës.