Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani dhe prokurori Shyqyri Syla, kanë mbajtur një takim pune me strukturat drejtuese të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë-veri, drejtorin Nenad Gjuriq, zv/drejtorin Besim Hoti, komandantët e Stacioneve Policore Mitrovicë-Veri, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, si dhe me udhëheqësit e hetimeve nëpër këto stacione policore.
Sipas komunikatës së lëshuar nga prokuroria në takim janë diskutuar çështjet e bashkëpunimit në mes të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Policisë Rajonale në Mitrovicë-veri, me ç`rast janë pajtuar që bashkëpunimi i deritashëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim të luftimit të gjitha dukurive negative në regjionin të cilin e mbulon kjo prokurori.
Po ashtu, gjatë takimit Kryeprokurori Ujkani ka kërkuar që me prioritet të trajtohen rastet e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, kontrabandimit të mallrave, dhe dhunës në familje, duke mos përjashtuar rastet tjera.
Gjatë takimit është dakorduar që Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhe stacionet policore të Rajonit të Mitrovicës – veri do të vazhdojnë bashkëpunimin dhe do të mbajnë kontakte të rregullta, sepse në këtë mënyrë do të tejkalohen sfidat në punën e përditshme.