×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Projekt-rezoluta amerikane: Të ndalet pandëshkueshmëria e kr*imeve sek*suale nga forcat serbe

    FrontOnline
    11 Prill 2025

    Kongresistët amerikanë, e kanë dërguar një propozim-rezolutë në Komisionin për Punë të Jashtme, ku bëhet thirrje për mbarimin e pandëshkueshmërisë së krimeve seksuale të luftës në Kosovë nga forcat serbe.

    Në propozim-rezolutën, për të cilën meritat më të mëdha i kanë demokratja Julie Johnson dhe republikani Keith Self, përmendet rasti i Vasfije Krasniqi Goodman, e cila u dhunua gjatë luftës në Kosovë dhe për këtë nuk është dënuar asnjë person.

    “Thirrje për mbarimin e pandëshkueshmërisë së krimeve seksuale të luftës të pa ndëshkuara serbe gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, në rastin e qytetares amerikane dhe mbijetueses së krimeve seksuale të luftës, Vasfije Krasniqi Goodman, dhe të mbijetuarve të tjerë të dhunës seksuale dhe të dhunës që ka bazë gjinore”, titullohet projekt-rezoluta, transmeton Klankosova.tv.

    Aty thuhet se Krasniqi-Goodman e kishte raportuar rastin e dhunimit të saj në UÇK, një ditë pasi kishte ndodhur rasti më 15 prill 1999, ndërsa në shtator të po të njëjtit vit, ajo e kishte çuar rastin në UNMIK dhe më vonë edhe në KFOR-in francez, por pa rezultat.

    “Znj. Krasniqi e raportoi rastin e saj në UNMIK më 10 shtator 1999, pa asnjë rezultat, si dhe në KFOR-in francez më 21 prill 2004, por mosveprimi i të dy këtyre organeve shkaktoi vështirësi dhe vonesa shtesë në rastin e saj”.

    “Ndërsa Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe që atëherë ka marrë njohjen e mbi 100 shteteve, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe 23 nga 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, megjithëse Serbia ende e refuzon një pretendim të tillë”, thuhet në projekt-rezolutë, transmeton Klankosova.tv

    Projekt-rezoluta e përmend edhe faktin që Krasniqi-Goodman e ka raportuar rastin tek EULEX-i ku është intervistuar pesë herë nga gushti 2010 deri në korrik 2012, ku pati edhe dëshmitarë nga shkurti 2011 deri në gusht 2021.

    “Më 12 nëntor 2012, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzën PPS nr. 89/2012 kundër autorëve Jovica Dejanoviq (DOB 09/11/1954), oficerit të policisë serbe, dhe Djordje Bojkoviq (DOB 13.11.1940), serb i moshuar dhe i gjymtuar, në Gjykatën e atëhershme të Qarkut të Mitrovicës”.

    “Shqyrtimi kryesor është mbajtur nga 4 deri më 15 prill 2013 dhe më 17 prill 2013, Gjykata Themelore e Mitrovicës ka shpallur aktgjykimin se të dy autorët janë liruar nga akuza për krime lufte kundër popullatës civile (përdhunim), e dënueshme sipas neneve 22 dhe 142 të KP të RSFJ-së”.

    “Ndërsa, më 31 tetor 2013, prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë paraqitur ankesë të përbashkët me të cilën propozohet që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet dhe Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq të dënohen për veprën penale të krimit të luftës kundër popullatës civile, ose në alternativë t’i kthehet lënda gjykatës së shkallës së parë”.

    “Gjykata e Apelit pranoi ankesën e prokurorëve specialë, dhe Gjykata e Apelit mori aktgjykimin e saj më 27 maj 2014, duke i shpallur fajtorë Jovica Dejanoviqin dhe Djordje Bojkoviqin, të cilët edhe i dënoi për krimin e luftës kundër civilëve sipas nenit 14 të KPFJ-së (KKPFJ) me 12 vjet dhe 10 vjet burgim”.

    “Në korrik 2014, Jovica Dejanoviq dhe Djordje Bojkoviq parashtruan ankesat e tyre kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit PaKr 503/13 të datës 27 maj 2014, dhe Gjykata Supreme e Kosovës mori aktvendim për lirimin e menjëhershëm të Jovica Dejanoviqit dhe Djordoviqit. Jovica Dejanoviq dhe Djordje Bojkovic u liruan, dhe askush nuk është mbajtur përgjegjës për krimet seksuale të luftës të kryera kundër Vasfije Krasniqi Goodman”, thuhet më tej në projekt-rezolutë, transmeton Klankosova.tv.

    Projekt-rezoluta tutje thotë se duke pasur parasysh se të gjithë mekanizmat e mëparshëm për ndjekjen e përgjegjësisë për krimet e luftës në Kosovë kanë dështuar sjelljen e autorëve të dhunës seksuale para drejtësisë, përfshirë Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, UNMIK-un, EULEX-in dhe sistemin gjyqësor të Kosovës dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranojnë se parandalimi dhe reagimi ndaj dhunës me bazë gjinore në mbarë botën nuk është vetëm çështje e të drejtave të njeriut, por edhe interes kombëtar strategjik i ShBA-së, propozohet projekt-rezoluta që:

    (1) E dënon faktin që asnjë person nuk është shpallur fajtor për krimet seksuale të luftës kundër znj. Krasniqi Goodman;

    (2) Dënon fuqishëm përdorimin e përdhunimit dhe formave të tjera të dhunës seksuale dhe të dhunës me bazë gjinore si armë lufte;

    (3) Nënvizon rëndësinë e hetimeve transparente, të përgjegjshme dhe të pavarura për krimet e luftës dhe mizoritë me bazë gjinore; lavdëron Qeverinë e Republikës së Kosovës për një qasje të prekshme dhe multisektoriale për të adresuar dhunën seksuale gjatë luftës në vend;

    (5) I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të mbajë zotimet e shprehura dhe të pranuara në “Protokollin për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale në Kosovë”, dhe t’i japë përparësi e t’i përshpejtojë rastet e përdhunimeve dhe sulmeve seksuale nga Lufta e Kosovës e vitit 1999;

     – I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Serbisë që:

    (A) të sjellë para drejtësisë personat që janë përgjegjës për krimet seksuale të luftës më 14 prill 1999, të shtetases së Shteteve të Bashkuara, Vasfije Krasniqi Goodman në Kosovë, në përputhje me Rezolutat 1820 dhe 2467 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara;

    (B) të ndalojë mbrojtjen dhe glorifikimin e çdo individi që ka qenë i përfshirë në krimet e luftës gjatë konfliktit të Kosovës dhe ta bëjë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale të çdo individi të tillë;

    (C) të zbatojë ligjet për të siguruar që autorët e njohur të dhunës me bazë gjinore të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë; dhe

    (D) t’i jepet përparësi krijimit dhe mbështetjes së mekanizmave të duhur të gjurmimit dhe hetimit për të ekstraduar në Kosovë autorë të njohur dhe autorë të dënuar të dhunës me bazë gjinore gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, për t’u sjellë para drejtësisë sipas të gjitha konventave;

     – I bën thirrje qeverisë së Shteteve të Bashkuara që:

    (A) Të mbështesë dhe forcojë angazhimet e saj për të kundërshtuar dhe parandaluar praktikën e dhunës me bazë gjinore;

    (B) Ta ngrit rastin të Vasfije Krasniqi Goodman në angazhimet e ardhshme bilaterale me Qeverinë e Serbisë, veçanërisht në aspektin e llogaridhënies për krimet e luftës të kryera kundër grave dhe të rinjve;

    (C) Të identifikojnë faktorët specifikë që rrisin rreziqet e dhunës me bazë gjinore dhe minojnë aksesin në shërbime dhe siguri;

    (D) Të monitorojë përpjekjet e Qeverisë së Serbisë dhe ministrive dhe zyrave të saj përkatëse për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës; dhe

    (E) Të ndajë fonde të mjaftueshme për të zbatuar një sërë projektesh arsimore, kërkimore dhe avokuese në Kosovë, duke përfshirë trajnimin e gjyqësorit dhe të zbatimit të ligjit, si dhe financimin për një qendër rehabilitimi që fokusohet në rehabilitimin fizik dhe psikologjik nga traumat e luftës dhe dhuna seksuale dhe në familje, si dhe aftësimin profesional dhe mundësitë për integrimin e punës.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni28 Maj 2025
    Presidenti ukrainas Zelenskyy nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për “Karli i Madh” në Aachen. Zelensky nuk...
    Bota/Rajoni28 Maj 2025
    Katër persona kanë vdekur ndërsa qindra palestinezë hynë me forcë në një depo të Kombeve të Bashkuara në Gaza, duke shembur pjesë të...
    Bota/Rajoni28 Maj 2025
    Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk mund të tregojë nëse homologu i tij rus, Vladimir Putin, dëshiron t’i japë fund...
    Të tjera
    Lajme28 Maj 2025
    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për “Front Online” ka deklaruar se përqendrimi i madh i kapaciteteve ushtarake serbe në jug të Serbisë...
    Lajme28 Maj 2025
    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke vënë theksin te nevoja për bashkëpunim mes partive...
    Lajme28 Maj 2025
    Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, ka thënë se një deklaratë e tillë e Maqedoncit nuk përputhet me veprimet operacionale të institucioneve të...
    Lajme28 Maj 2025
    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti një delegacion të lartë nga Instituti Kërkimor Shkencor Ushtarak i Akademisë...
    Lajme28 Maj 2025
    Deklarata e fundit e ministrit në detyrë të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, se rreth 70% e kapaciteteve ushtarake të ushtrisë serbe...
    Sport28 Maj 2025
    Ka përfunduar pa gola ndeshja miqësore mes Kosovës U21 dhe Maqedonisë së Veriut U21. “Dardanët” pavarësisht që patën paraqitje më të mirë...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.