Artane Rizvanolli është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje që ta udhëheqë Ministrinë e Ekonomisë për katër vitet e ardhshme.
Rizvanolli njihet për përvojën e saj në fushën e ekonomisë. Pas përfundimit të studimeve themeltare, e njëjta ka vazhduar studimet Master në Ekonomiks për analizë biznesi në Universitetin Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vitin 2012 ka doktoruar në fushën e Ekonomiksit në Universitetin Staffordshire me hulumtimin e fokusuar në lidhjen në mes kapitalit njerëzor dhe investimeve të huaja direkte në ekonomitë evropiane në tranzicion.
Pas angazhimit gjashtëvjeçar si hulumtuese në Institutin Riinvest, ajo e ka vazhduar punën e saj si hulumtuese dhe këshilltare për analiza dhe politika ekonomike në kuadër të organizatave të ndryshme kosovare dhe ndërkombëtare në fushat si punësimi, zhvillimi i sektorit privat, efektet e diasporës në ekonomi, financat publike.
E njëjta nuk ka qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetevendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.