Nga 3.2 milionë € gjithsej në vitin 2019, eksportet e Kosovës në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës arritën vlerën e përgjithshme në 136.5 milionë euro në vitin 2022.
Rritja e eksporteve kosovare drejt SHBA-ve ka nisur në vitin 2020, kur vlera e përgjithshme shkoi në 23.6 milionë euro, duke u gjashtëfishuar në vitin 2021, përkatësisht në 123.4 milionë euro dhe kulminacioni u arrit në vitin 2022 (136.5 milionë euro).
Por, vitin e kaluar shifrat e eksporteve kosovare drejt SHBA-ve filluan të përmbysen, duke rënë në 103 milionë euro, apo rreth 30 % më pak se në vitin 2022, raporton portali FrontOnline, duke u bazuar në statistikat e Doganave të Kosovës.
Sipas këtyre statistikave, pjesën dërmuese të eksportit e zënë dyshekët dhe mobiliet më mbi 88 milionë euro, artikuj të veshjeve me mbi 9 milionë euro, plastika dhe produkte të plastikës me mbi 620 mijë euro, alumin 1,8 milionë euro, pajisje për mjekësi në vlere mbi 500 mijë euro, vegla të punës me rreth 250 mijë euro, produkte të industrisë bluarëse me mbi 330 mijë euro, produkte bylmeti me rreth 160 mijë euro, etj. Për njohës të rrethanave ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në vend rënia e eksporteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konsiderohet si shqetësuese. Sipas tyre, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë të pamundurën për të rritur edhe më shumë eksportet e Kosovës në ketë shtet mik.
Dedushaj: Kompanitë eksportuese duhet të kenë lehtësira
Naim Dedushaj nga rrjeti i bizneseve të diasporës në Kosovë tregon se në të kaluarën ka pasur shumë lehtësira për prodhuesit kosovare që prodhimet e tyre t’i eksportojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me sa e di unë kanë ekzistuar disa lehtësira për eksport në SHBA. E di se disa kompani gjigante, si Devolli Group, kanë eksportuar në Amerikë, po ashtu edhe prodhues tjerë të Kosovës kanë eksportuar produktet e tyre në SHBA”, ka thënë Dedushaj.
Sipas tij, institucionet e Kosovës është dashur të bëjnë shumë më shumë në rritjen e eksporteve me shtete siç është Amerika e jo të ndodh e kundërta, të mos reagojnë fare edhe atëherë kur bien eksportet më ketë shtet.
Kompanitë amerikane kanë ikur nga Kosova
Ai më tutje tregon se edhe kur investitorët amerikanë kanë ardhur për të investuar në vendin tonë kanë hasur në barriera të shumta, e ku pas një kohe ata është dashur të ikin nga Kosova, duke shkuar në shtete të rajonit.
“Kompanitë amerikane sidomos në bashkëpunim me partnerët shqiptarë kanë shprehur edhe interesim për investim në miniera, ka pasur interesim për investim në hidrocentrale në Dukagjin, në Klinë me kapacitet 300 megavat. Në këtë rast është blerë toka, por nuk është lejuar ai investim. Pra ka pengesa burokratike, për shembull ankesa që i kemi pasur ne në zyrën tonë, kanë qenë pengesa të lloj-llojshme si mos zbatimi i ligjit, mos kthimi i përgjigjeve me kohë, mos dhënia e informatave të sakta, mos koordinimi i bizneseve, siç dini kompanitë e mëdha nuk ka kohë të merren shumë me pritjen e përgjigjeve”, ka thënë Deduashaj për Front Online.
Më tutje Dedushaj tregon se në Komunën e Lipjanit ka një rast kur një biznesmen shqiptar nga Amerika ka ardhur për të investuar aty, por atij iu është ndërprerë investimi dhe tash rasti është në Gjykatë.
Sipas tij, ka shumë pengesa që kompanitë amerikane mos të vijnë në Kosovë dhe kjo e ka dëmtuar Kosovën.
“Ka kompani që kanë qenë në Kosovë dhe kanë ikur nga Kosova sikur ky me hidrocentral dhe ka ikur investimi në Pensilavni, ku kanë synuar të punësohen 2 mijë veta, por ka edhe investime tjera që kanë ikur në Serbi, Mal të Zi e vende tjera”.
Deputeti i LVV-së: Institucionet duhet t’i promovojnë produktevet kosovare në tregun amerikan
Gramos Agusholli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, thotë se ka shumë faktorë që mund të kenë ndikuar në rënien e eksporteve nga Kosova në Amerikë. Njëra nga arsyet sipas tij mund të jetë ndryshimi i kërkesës së tregut për produkteve specifike, pastaj konkurrenca e madhe nga vendet e tjera si: India, Pakistani, Bangladeshi ku fuqia punëtore është shumë më e lirë.
“Unë konsideroj se edhe sfidat me çmimet e importit si dhe sfidat logjistike me transport drejt Amerikës mund të jenë problem i madh për prodhuesit tanë. Unë kam informacionin se për shkak të këtyre arsyeve, disa prej prodhuesve tanë më të madhej kanë humbur kontratat me kompanitë amerikane”, ka thënë ai.
Më tutje sipas tij, ndryshimet e politikave tregtare ose politikës në përgjithësi kanë ndikim në këtë punë.
Agusholli thotë se SHBA dhe Kosova kanë marrëdhënie të qëndrueshme diplomatike dhe ky është një faktor i cili ndikon për të mirë në këtë fushë.
“Pajtohem që institucionet tona duhet të bëjnë më shumë, duke përkrahur prodhuesin vendor me subvencione si dhe në pajisje moderne, të ndihmojnë në logjistiken e prodhuesve duke ju garantuar atyre diversifikim të tregtisë të ju ndihmoj në kërkimin dhe adresimin e kërkesave të tregjeve të reja. Institucionet duhet të rregullojnë marrëveshjet tregtare dhe të marrin iniciativa për zhvillimin e bizneseve duke ju ndihmuar në promovimin e produkteve në tregun amerikan”, ka thënë ai.
Gërxhaliu: Po bie eksporti drejt SHBA-së, por rritet importi nga Kina, kjo është keq
Safet Gërxhaliu, ish- kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), thotë se ku dominon agjenda politike ka pak hapësirë për zhvillim ekonomik.
“Viti 2023 është një vit ku kemi shënuar një rritje të importeve mbi 8 miliardë euro, por kemi ulje të eksporteve, por ajo që është indikativë është fakti që kemi ulje të eksportit në SHBA, por rritje të importit nga Kina, Turqia dhe vendet tjera që është fenomen që kërkon analizë. Marrëdhëniet me SHBA duhet të shfrytëzohen. Raportet e ftohta me ta po ndikojnë edhe në ekonomi”, ka thënë Gërxhaliu për Front Online
Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës
2023 103 mil. €
2022 136.5 mil. €
2021 123.4 mil. €
2020 23.6 mil. €
2019 3.2 mil. €
2018 2.3 mil. €
2017 2.4 mil. €
2016 1.8 mil. €
2015 0.5 mil. €
2014 0.5 mil. €
2013 0.3 mil. €
Total: 397.5 milionë euro
*Ky artikull u realizua nga mediumi “Front Online”, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.