
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, së bashku me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, janë mes emrave që janë proceduar penalisht nga policia për shkak të protestës së organizuar ditën e djeshme nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Policia njofton se kanë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” Robert Budinën, Neritan Licajn, Adriana Kalajën, Artan Manushaqen, Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin, Çlirim Gjatën, Fatmir Mediun dhe reperin Arkimed Lushaj – “Stresi”.
“Procedimi ndaj tyre nisi pasi më datën 18 maj 2020, rreth orës 16:30, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet ose tubimet. Shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht, për veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’, shtetasit: R. B., N. L., A. K., A. M., L. B., M. K., Ç. Gj., F. M. dhe A. L.”, ka thënë Policia e Shtetit, raporton TCH-ja.